Mëkëmbje politike apo dështim i ri – Lajmi.net
Mëkëmbje politike apo dështim i ri
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinionPolitikë 12:09, 7 September 2017
Politika kosovare duhet ta adresojë një bindje në rritje tek qytetarët e këtij vendi, që me këta politikanë dhe me këto parti, ky shtet nuk ka perspektivë.

Domosdoshmëria nuk njeh ligj. Apo, ligji gjithmonë i nënshtrohet domosdoshmërisë.

Ky mësim që na vie nga Drejta Romake, duket që është justifikimi më i mirë i mundshëm për obligimet e papërfunduara, të parrumbullakësuara të cilat janë në ‘tavolinën’ e politikës kosovare viteve të fundit. Është përmendur shumë herë në të kaluarën që një politikë ekziston për t’i zgjidhur problemet, e jo për të qenë burim i tyre, madje, edhe i krizave të njëpasnjëshme të cilat zatën karakterizojnë politikën kosovare që nga vera e vitit 2014-të, kur u instalua ngërçi i njohur. Ky në fakt ka qenë, në një apo formën tjetër në fuqi deri sot e kësaj dite. Çka do të ndodhë tash e tutje, apo, si do të tejkalohet ai, kjo mbi të gjitha do të varet nga aftësia e politikës kosovare për t’i adresuar temat kyçe të kësaj shoqërie, të këtij vendi: Marrëveshjen për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, përmbylljen e dialogut të Kosovës me Serbinë, transformimin e FSK-në në Ushtri të Kosovës, zbatimin e MSA-së  (Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit), luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, uljen a papunësisë, zhvillimin ekonomik, ndryshimin rrënjësor të cilësisë së arsimit dhe të shëndetësisë, etj.etj.

Mbi të gjitha, politika kosovare duhet ta adresojë një bindje në rritje gjithnjë e më të madhe tek qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, që me këta politikanë dhe me këto parti që janë sot të pranishme në Kosovë, ky shtet nuk ka perspektivë. Një tjetër bindje, mbase edhe më e rrezikshme, e cila natyrisht lidhet me këtë të parën, apo, është pasojë e saj, flet për ndjenjën e mungesës së perspektivës individuale dhe familjare tek shumë qytetarë të Kosovës. Nëse jemi të sinqertë ndaj njeri-tjetrit, do të mund të themi që sikur të kishte mundësi reale për të gjetur strehimin politik dhe social në Gjermani dhe në Evropën Perëndimore, me gjasë, dhjetëra mijëra apo edhe më tepër do t’ia mësynin Evropës.

Mbase, qindra miliona Euro që po vinë çdo vjet tek familjet tona nga kosovarët që jetojnë me vite dhe me decenie në Evropë, janë themeli i një stabiliteti të brishtë social. Në realitet, llogaritet që në Kosovë, për çdo vjet dërgohen para nga Perëndimi  (përmes remitancave), të cilat i konkurojnë të hyrave buxhetore nga doganat dhe tatimet. Mund të mirret me mend se si do të jetonim dhe çka do të bënim ne në Kosovë, po të ishte ndryshe.

Sidoqoftë, nëse prej Listës së çështjeve me të cilat do të duhej të mirrej politika zyrtare kosovare në periudhën e ardhshme, do të duhej veçuar një të vetmen që spikatet me një urgjencë dhe domosdoshmëri, nuk ka dyshim që kjo do të përkonte me Marrëveshjen kufitare me Malin e Zi. Janë pasojat e shumëfishta, për të mirë dhe për të keq, nëse nuk e kryejmë këtë temë që është në qarkullim kontaminues në këtë politikën vendore, tash e mbi dy vjet.

Në radhë të parë, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë, pa i dhënë fund këtij rrëfimi për kufijtë me Malin e Zi. Izolimi i Kosovës, kemi thënë të gjithë shumë herë, është i padrejtë, apo, është krejtësisht e pakuptimitë që vetëm qytetarët e Kosovës nuk po udhëtojnë lirshëm në Evropë. Benefitet e qarkullimit të lirë në Evropë janë politike, ekonomike, sociale. Këtë e dimë të gjithë. Vetëm në punët sezonale që do të mund të bëheshin nga kosovarët, do të mund të sjelleshin prapa, dhjetëra miliona Euro.

Pastaj, nëse e mbyllim këtë temë me Malin e Zi, më në fund do të shfaqeshim në shkallën e duhur të përgjegjësisë, si politikë, si shtet, sepse në këtë mënyrë, do ta heqnim qafe një pengesë për fuqizimin e marrëdhënieve me një shtet fqi mik  (çfarë gjithsesi është Mali i Zi), i cili për më shumë, është bërë edhe shtet anëtar i Paktit NATO. Nuk është e qartë si do të mund ta bëjmë Ushtrinë e Kosovës  (me transformimin e FSK-së), punë kjo që nuk kryhet pa mbështetjen e madhe të SHBA-së dhe Paktit NATO, pa i definuar kufijtë me një shtet të NATO-s.

Nëse kjo temë do të vazhdojë të zvarritet në politikën kosovare edhe tash e tutje, atëherë ky do të jetë konfirmimi më i fuqishëm i mundshëm i vazhdimësisë së dështimit të kësaj politike.

*Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net

Fjalët kyçe: Blerim Shala, Kolumne, Politika

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bubble Trouble
  • Play Stealth Sniper
  • Play Bike Rivals
  • Play Bow Master Japan