Meha synon gol kundër Serbisë

Alban Meha është një prej futbollistëve më në formë në Kombëtaren e Shqipërisë. Mesfushori i Paderbornit është shndërruar në shtyllë tek skuadra e kuqezinjve dhe këtë e konfirmoi edhe në mesjavë kur realizoi një gol nga 40 metra në miqësoren e fituar me rezultat 2:0 ndaj Maltës në stadiumin Niko Dovana në Durrës. Meha ka…

Sport

07/03/2014 08:53

Alban Meha është një prej futbollistëve më në formë në Kombëtaren e Shqipërisë.

Mesfushori i Paderbornit është shndërruar në shtyllë tek skuadra e kuqezinjve dhe këtë e konfirmoi edhe në mesjavë kur realizoi një gol nga 40 metra në miqësoren e fituar me rezultat 2:0 ndaj Maltës në stadiumin Niko Dovana në Durrës.

Meha ka zbuluar objektivat e tij për të ardhmen, derisa ka pranuar se dëshiron të shënojë golin e fitores ndaj Serbisë, në eliminatore për Euro 2016.

“Dëshira ime padyshim është që të fitojmë në takimin ndaj Serbisë dhe mendoj se kjo është dëshira e të gjithëve. Por dua që unë të jem protagonist në atë ndeshje dhe të shënoj golin e fitores. Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë dhe sikur të fitojmë 1-0, dua që atë gol ta shënojë unë. Ajo do të jetë me të vërtetë një gjë e veçantë. Gjithsesi të gjitha takimet do të jenë të rëndësishme dhe dëshira ime është që të shënoj sa më shumë gola me ekipin Kombëtar”, deklaroi Meha gjatë një interviste për Sport Ekspres.

Mesfushori ka komentuar edhe shanset e Shqipërisë për kualifikim në Euro 2016.

“Jemi në një grup me 5 skuadra dhe shanset për të arritur një gjë të tillë janë të mëdha. Thjesht duhet të rregullojmë disa gjëra në lojën tonë dhe të jemi më të vëmendshëm, duke mos toleruar në asnjë moment. Duhet që edhe ne t’i gëzojmë tifozët tanë, duke siguruar kualifikimin, për gjithçka ata kanë bërë për këtë skuadër”, shtoi ai.

Meha e cilëson të fort grupin e Shqipërisë.

“Normalisht që ekipe si Portugalia, Danimarka dhe Serbia janë të vështira, por kjo nuk do të thotë se na janë prerë shpresat për të arritur kualifikimin. Ne kemi treguar edhe në të shkuarën se mund të bëjmë gjëra shumë të mira dhe tashmë është koha që të bëjmë realitet një ëndërr”.