Megjithatë, akreditohet Matematika në UP

Agjencia e Kosovës për Akreditimin (AKA) ka akredituar programin e Matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Lajmin e ka konfirmuar për “Epokën e re” drejtoresha e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, Ferdije Zhushi-Etemi.

Lajme

07/11/2014 14:03

Ky vendim është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Cilësisë. Ajo ka bërë me dije se Agjencia e Akreditimit ka akredituar dhjetë programe, të cilat kanë qenë në proces gjatë kësaj periudhe, disa prej tyre në Universitetin e Prishtinës e disa në kolegje private. “Kemi marrë vendim për akreditimin e programit bachelor trevjeçar të Matematikës dhe programit master dyvjeçar, gjithashtu në Matematikë, njëvjeçar programi master në Biologji të përgjithshme. Kurse janë refuzuar dy programe në Departamentin e Gjuhës Turke në Fakultetin e Filologjisë”, ka thënë Zhushi-Etemi.

AKA-ja ka akredituar pesë programe të nivelit master në Fakultetin e Edukimit, por ka refuzuar një program në këtë fakultet, pasi nuk i ka plotësuar kushtet për akreditim.