Mëdyshja e themeleve të shtetit të Kosovës

Kosova ka qenë dhe duhet të mbetet shteti më pro-amerikan në këto anë të Evropës. Kosovës i duhet pëherë që SHBA-ja të ketë siguri të plotë në orientimet themelore politike të shtetit tonë.

Opinion

23/07/2015 10:16

Rrëfimi për pozitën ndërkombëtare që ka shteti i Kosovës sot, i cili nisë dhe sosë me vlerësimin që Kosova ka mbetë shtet i parrumbullakësuar ndërkombëtarisht, apo që ende nuk ka marrë ‘certifikatën finale’ si shtet (sepse nuk është bërë shtet anëtar i OKB-së), është ri-kthyer në debatet e brendshme politike, si një efekt anësor i diskutimit për themelimin e Gjykatës Speciale.

Për më shumë, ky rrëfim, për shkaqe mirë të njohura, javëve të fundit njeh edhe një kapitull fare të ri, që përkon me marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Për herë të parë në historinë çerek-shekullore të këtyre relacioneve, që njohën si pikë kulmore luftën që SHBA dhe NATO Pakti bënë për Kosovën, në pranverën e vitit 1999, këto marrëdhënie po mëdyshen, apo, në sipërfaqen publike (ndërsa ato tej publike janë shumë më të thella), kanë dalë në shesh faktet që njohin pikëpyetjet e para në këto relacione.

Orientimet strategjike të Lëvizjes së Kosovës për çlirim dhe pavarësi, që janë artikuluar qysh në vitin 1990, nga Alternative a atëhershme kosovare, me zërin unifikues të Presidentit Rugova, kanë spikatur domosdoshmërinë e krijimit të miqësisë, e cila nga Dr.Rugova gjithmonë është cilësuar si e ‘përjetshme’, midis Kosovës dhe SHBA-së. Është investuar aq shumë prej nesh në Kosovë në këtë miqësi, në të gjitha mënyrat e mundshme. Kjo miqësi njëmend ishte vendimtare që një rast si Kosova, thuaja i harruar nga ana e Evropës, në vitet e zhbërjes së ish-Jugosllavisë, të fitojë atë peshë që gjithsesi e ka merituar, dhe të bëheh shembull për të mirë se si Perëndimi duhet të veprojë në përballje me sprovat e këtij lloji.

Deri para pak vitesh, thuaja askush këndejpari, nuk ka mundur të imagjinojë dot që do të mbërrimë në situatën, çfarë është sot, kur tema e Gjykatës Speciale të bëhet burim i kontestimit të kësaj miqësie të madhe. Përkrahja e një shteti çfarë është SHBA-ja, për një shtet çfarë është Kosova, është njëmend gjithmonë e rëndësishme. Kosova ka qenë dhe duhet të mbetet shteti më pro-amerikan në këto anë të Evropës. Kosovës i duhet pëherë që SHBA-ja të ketë siguri të plotë në orientimet themelore politike të shtetit tonë.

Këto të vërteta janë shumë mirë të njohura për të gjithë ne, duke nisë këtu prej qytetarëve të rëndomtë të këtij vendi.

Kontestimi i relacioneve të Kosovës me SHBA-në, tash, në këtë kohë, shtatë vjet pas pavarësisë, është lajmi më i keq i mundshëm që mund t’i kumtohet kosovarëve.

Kosova tek duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, e UNESCO-s, e Interpolit, më në fund dhe më në fillim për nga rëndësia, Kosova akoma duhet të përpiqet shumë për të qenë shteti i 194-të që do të anëtarësohet në OKB. Pa hyrë në OKB, nuk mund të bëhemi anëtarë i Paktit NATO dhe i BE-së.

Shumëçka, për të mos thënë gjithçka, kur flitet për perspektivën afatgjatë ndërkombëtare të Kosovës, varet nga marrëdhëniet e Prishtinës me Washngtonin.

Kosova ka marrë vendimet kapitale për orientimet kyç qysh moti pra. Ato janë në fuqi sot e kësaj dite. Për më shumë, nuk ka rrugë tjetër për Kosovën pos kësaj e cila është krijuar prej vitit 1990-të e këndej. Nuk ka.

Krijimi i Gjykatës Speciale dhe adresimi ligjor i çështjeve të cilat janë të njohura për të gjithë ne, i duhet edhe SHBA-së, jo vetëm Kosovës. Duhet mbyllë një herë e përgjithmonë temën që konteston arsyeshmërinë e përkrahjes politike dhe ushtarake të Amerikës për shqiptarët dhe për Kosovën. Kjo temë ka çuar kokë, përmes tendencës së kualifikuar atëherë, si ‘revizioniste’, qysh në vitin 2000, dhe atë mbi të gjitha në qarqet politike dhe diplomatike perëndimore, të cilat zhvlerësonin logjikën e intervenimit në Kosovë, duke shfaqur hapur dyshimin që shqiptarët e Kosovës nuk e kanë merituar që të bëhet një luftë për ta, dhe që Amerika ka bërë gabim që ka ndihmuar aq shumë Kosovën.

Përditë e më shumë kuptohet se sa vështirë është të krijohet një konsensus, qoftë edhe midis shteteve kryesore perëndimore, në trajtimin e problemeve më të mëdha që kërcënojnë Botën sot.

Pranvera e vitit 1999 dhe rasti i Kosovës gjithsesi është rasti i parë dhe i fundit kur ky pajtim mori trajtën e një lufte të Perëndimit për shpëtimin e një populli dhe për krijimin e shtetit të Kosovës.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)