Medvedev: Sanksionet amerikane në banka dhe valutë mund të konsiderohen “luftë ekonomike”

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se Moska mund të konsiderojë “luftë ekonomike” dhe do të hakmerret “ekonomikisht, politikisht apo nëse duhet edhe në mënyra tjera”, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin ndalime në bankat ruse apo përdorimin e ndonjë valute.

Bota

10/08/2018 11:05

Deklaratat e ashpra të Medvedevit më 10 gusht kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për një valë të re të sanksioneve dhe ligjvënësit amerikanë kanë propozuar masa tjera, duke përfshirë kufizimet në operacionet e disa bankave shtetërore ruse, si dhe qasjen në dollarin amerikan.

Teksa nuk ka dhënë shumë detaje, deklarata e Medvedevit për “mënyra tjera” duhet të ketë pasur qëllim që të rrisë vëmendjen tek ajo se Rusia mund të përgjigjet me forcë ushtarake apo formë tjetër të luftës, siç janë sulmet kibernetike.

“Nuk dëshiroj të komentoj për sanksionet e ardhshme por mund të them një gjë: Nëse ndodhë diçka si formë e ndalimit në operacionet bankare apo në qasjen në ndonjë valutë, është e mundshme që ta konsiderojmë këtë akt si deklarim të luftës ekonomike”, ka thënë Medvedev gjatë një vizitë në Gadishullin Kamchatka, në lindje të Rusisë.

“Dhe do të ishte e domosdoshme të reagojmë ndaj kësaj lufte ekonomokisht, politikisht apo nëse duhet edhe në mënyra tjera”, ka thënë ai. “Miqtë tanë amerikanë duhet ta kuptojnë atë”.

Sanksionet potenciale, të cilave u është referuar Medvedev janë propozuar në një projekligj të prezantuar më 2 gusht nga një grup i senatorëve, duke përfshirë republikanin, Lindsay Graham, i cili ka thënë se përkrahësit e tij dëshirojnë që “të vendosen sanksione dhe masa tjera kundër presidentit rus, Vladimir Putin derisa ai të ndalojë ndërhyrjen në procesin zgjedhor të SHBA-së, të mos ketë më sulme kibernetike në infrastrukturën amerikane, të largohet Rusia nga Ukraina dhe të shuhen përpjekjet për kaos në Siri”.

Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka cilësuar sanksionet e reja amerikane që nisin së zbatuari më 22 gusht si “të papranueshme” dhe “të paligjshme”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur një valë të re të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri më 4 mars.

Perëndimi akuzon Moskën për këtë rast, derisa kjo e fundit mohon çdo keqbërje.