Mediat serbe: Senatori amerikan do të sjellë në Beograd mesazhin e SHBA-ve për Kosovën

Të hënën dhe të martën senatori amerikan, Ron Johnson do të qëndrojë në Serbi ku pritet t’i përcjellë mesazhet e presidentit amerikan, Donald Trump rreth marrëveshjes në mes Beogradit dhe Prishtinës, shkruan gazeta serbe ‘Blic’.

Lajme

10/09/2018 09:21

Sipas gazetës, kjo nuk është vizita e parë në Beograd për këtë senator të ‘misioneve speciale’.

Në Serbi ai ishte në shkurt të këtij viti kur Kosova ishte në fokus, pastaj presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i kërkoi atij të ndihmonte në stabilizimin e rajonit duke u kërkuar shqiptarëve të Kosovës të jenë gati për kompromis, transmeton lajmi.net.

“Marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë e drejtë për të gjitha palët dhe e ardhmja e të gjithëve duhet të merret parasysh”, kishte thënë Johnson.

Tutje shkrimi thotë se ky senator amerikan ishte në Beograd gjatë kohës kur Moska po e hapte qendrën ruse në Nish. Ai kishte deklaruar se një gjë e tillë nuk është e mirë për Serbinë duke e bërë të qartë se ishte një paralajmërim  nga Uashingtoni.

Vizita e Johnson në Beograd thuhet se do të bëhet për të finalizuar një marrëveshje të mundshme mes serbëve dhe shqiptarëve.

Johnson ka qëndruar në Kosovë gjatë ditës së diel. Ai ka theksuar se zgjidhja në mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë e lehtë mirëpo beson se ka dëshirë të sinqertë për të gjetur një zgjidhje./Lajmi.net/