Mediat serbe: Kosova në prag të zgjedhjeve të parakohshme

Duke e parë situatën politike në vend në mes të pushtetit dhe opozitës, janë indikacione që Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

16/10/2018 19:29

Shkarkimi i Bejtush Gashit nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme, emërimi i  Ekrem Mustafës në këtë post, emërimi i Fatmir Matoshit në krye të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe mospajtimet politike në vend, po cilësohen si indikacione që Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, transmeton lajmi.net.

Siç shkruan “Novosti”, spektri politik në vend tash e sa kohë nuk është duke u dakorduar për shumë çështje politike dhe se mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës nga partitë në pushtet dhe partitë opozitare po lë të nënkuptohet se kjo situatë politike çon drejt zgjedhjeve të reja.

Sipas këtij mediumi, edhe përkrahja e të gjitha partive të Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës mund të sjell një konflikt, pasi që siç shkruan “Novosti”, pavarësisht kundërshtimit të Listës Serbe dhe mosvotimit të tyre për ushtrinë e Kosovës, prapë se prapë spektri politik shqiptar po vazhdon të veprojë kundër vullnetit serbëve, përcjell lajmi.net.

Po ashtu sipas këtij mediumi, dhjetë ditë më parë është mbajtur një konferencë me titull “Drejt një Serbie më të Sigurti” nga ky konkluzioni kryesor ishte se çështja e pazgjidhur e Kosovës është burimi dhe kërcënimi kryesor për sigurinë kombëtare të Serbisë dhe për rajonin e Evropës Juglindore.

Po ashtu në këtë konferencë është konstatuar se situata e paqëndrueshme politike në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet partive politike si dhe themelimi i ushtrisë së Kosovës, janë cilësuar si kërcënim kryesor. /Lajmi.net/