Mediat serbe: Kosova do të pranohet në UEFA

E përditshmja “Politika” ankohet se drejtuesit e UEFA-së do të bëjnë shkelje të statusit vetëm e vetëm për të anëtarësuar Kosovën.

Sport

29/04/2016 12:20

UEFA do ta pranojë Kosovën si anëtare të re, në Kongresin e ardhshëm në Budapest. Lajmi konfirmohet edhe nga mediat serbe.

Mirëpo, e përditshmja “Politika” ankohet se drejtuesit e UEFA-së do të bëjnë shkelje të statusit vetëm e vetëm për të anëtarësuar Kosovën.

Statuti i UEFA-së parasheh që një anëtar i ri duhet të jetë shtet, pavarësinë e së cilës e kanë pranuar edhe Kombet e Bashkuara.

Por, në arsyetimin e ri thuhet se anëtarësimi do të bëhet në bazë se: “Shumica e shteteve ndërkombëtare e kanë pranuar Kosovën”, shkruan “Politika”.

Kongresi i 3 majit ka shtuar në rend dite pranimin e Kosovës, përcjell “Zëri.info”.

Burime të “Politikës”, thonë se me këtë rast UEFA do të bëjë një shkelje të madhe të statutit dhe gabime të ndryshme procedurale. Madje, ata e komentojnë vendimin si pasojë e “ndikimit politik”.

Kosova synon të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-së. Për të ardhur deri aty, nevojiten 36 vota, kurse deru në tani pavarësia e Kosovës njihet nga 38 shtete evropiane.