Mediat në Serbi: Hashim Thaçi urdhëroi ndalimin e trenit me çdo kusht

Mediat në Serbi kanë reaguar ashpër pas ndaljes së trenit serb, të dhuruar nga Rusia, në rajonin e Rashkës, tren ky i cili destinacion final e kishte pjesën veriore të Mitrovicës.

Lajme

14/01/2017 22:10

Radio Televizioni i Serbisë, agjencitë e lajmeve beogradase, Beta e Tanjug, por edhe të përditshmet kryesore beogradase si Danas, Politika, Novosti, Kurir, Telegraf e kështu me radhë, kanë raportuar se ishte Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ai që kishte urdhëruar ndaljen e trenit “me çdo kusht”.

Ato shkruajnë se Thaçi ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe drejtori i Policë së Kosovës, Shpend Maxhuni, që të “mos lejojnë” hyrjen e trenit dhe që të ruhet “integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës”.

Mediet serbe kanë transmetuar deklaratën e presidentit Thaçi dhënë medieve kosovare, në të cilën, mes tjerash, kreu i shtetit ka thënë se “Duke vërejtur neglizhencën e autoriteteve unë sot kam ftuar ne zyrën time, duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë ne kuadër te kompetencave te mija për te ruajtur sovranitetin territorial dhe integritetin territorial, kam ftuar ministrin e brendshëm dhe drejtorin e policisë. Kam kërkuar prej tyre qe te ndalojnë hyrja e trenit në Kosovë menjëherë dhe me çdo çmim”, transmeton lajmi.net.

Më tej, mediat në Beograd rikujtojnë se Thaçi u kishte bërë thirrje institucioneve kompetente në Prishtinë që me mjete ligjore menjëherë të ndalnin trenin i cili ishte nisur nga Beogradi për në Mitrovicë.

Gjithashtu, ato citojnë Thaçin i cili kishte theksuar se treni duhet të ndalet për shkak të afisheve nacionaliste të papranueshme të cilat janë në kundërshtip me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe që në atë tren ndodheshin zyrtarë të Serbisë të cilët nuk kishin marrë leje për hyrje në Kosovë.

Kryeministri Vuçiq: Këto janë lojëra luftërash, ky është paralajmërimi im i fundit për shqiptarët

Me rastin e ndaljes së trenit serb në Rashkë, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, pasi që kishte caktuar një seancë urgjente të Zyrës për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, thirri urgjentisht një konferencë për gazetarë.

Ai është shprehur se ka marrë vendim që treni të ndalej në Rashkë në mënyrë që, sipas tij, të shmangej konflikti, duke shtuar se shqiptarët kanë dashur të shkaktojnë konflikt të përmasave të gjera dhe i ka paralajmëruar që të mos e sulmojnë popullatën serbe sepse Serbia nuk do ta lejojë këtë.

Gjithashtu, Vuçiq tha se ka biseduar edhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, të cilës i ka thënë se është i zhgënjyer me reagimin e BE-së dhe ka thënë se për këtë situatë do t’i njoftojë edhe zyrtarët e lartë botërore.

Vuçiq dhe disa medie në Serbi kanë pohuar se shqiptarët janë orvatur për të minuar hekurudhën, por se nuk kanë qenë të aftë ta bëjnë këtë dhe kështu kanë dërguar njësi të armatosura në pikën kufitare në Jarinje.

Me këtë rast, kryeministri serb ka përdorur gjuhë kërcënuese duke thënë se këto janë lojëra luftërash dhe se ky është paralajmërimi i tij i fundit për shqiptarët që të mos tentojnë të sulmojnë më armë serbët në Kosovë, sepse, siç tha ai, Serbia nuk do ta lejojë këtë, ndërkaq serbë i ftoi për qetësi.

Presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, do të kryesojë seancën e nesërme të Këshillit për Sigurinë Kombëtare në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, dhe drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, janë shprehur se ndalimi i trenit serb përbën shkelje të të drejtave elementare të njeriut dhe të lirisë së lëvizjes.

Ndërkaq, Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme njësiteve speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) nga pjesa veriore e vendit. /Lajmi.net/