Mediat italiane: I afërmi trafikant i Tahirit: “30 mijë euro duhet t’ia jap Saimirit”

Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me arrestimin e Moisi Habilajt, të afërm të ish-ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, person i akuzuar nga opozita shqiptare si drejtuesi i një klani droge në qarkun e Vlorës që gëzonte mbështetjen politike nga ish-ministri.

Lajme

17/10/2017 12:20

Lidhjet mes tyre janë lidhje të largëta familjare, por mediat italiane e quajnë Habilajn kushëri të Saimir Tahirit. Moisi Habilaj është mes shtatë personave të arrestuar në Itali (4 italianë dhe 3 shqiptarë) si anëtarë të një bande të trafikut ndërkombëtar të drogës, nga Shqipëria në Catania të Italisë. “Mes të arrestuarve në operacionin “Rosa dei venti” është edhe i afërmi i socialistit Saimir Tahiri, prej virtsh i dyshuar se ka mbuluar klanet që trafikonin marijuanë nga Ballkani”, – shkruan media italiane “MeridioNews”.

Kjo media shkon edhe më tej kur flet për përgjime që i janë kryer grupit të drogës dhe ku aty përmendet edhe emri i Saimir Tahirit. “30 mijë duhet t’ia jap Saimirit”, është dëgjuar të thotë Habilaj në një përgjim ambiental që i është bërë nga autoritetet italiane. Media përmend edhe faktin se Moisi Habilaj dhe një bashkëpunëtor i tij, Sabi Çelaj, ka udhëtuar drejt Siçilisë me një makinë Audi, që Partia Demokratike e ka akuzuar se automjeti i përket Saimir Tahirit.

Hetuesit italianë kanë kryer vëzhgime dhe përgjime ambientale. Në nëntor të vitit 2013, policia italiane monitoroi një takim mes Antonio Rielës (italian i arrestuar dje si pjesë e organizatës kriminale) dhe Florian Habilajt, vëllai i Moisi Habilajt.

Nga përgjimet ambientale rezulton se takimi mes tyre u zhvillua për të organizuar sa më shpejt një tjetër trafik droge, pasi në tetor policia i kishte konfiskuar 1.6 ton kanabis në Castelluccio Bay. Për këtë goditje të trafikut të kanabisit, Moisi Habilaj është dëgjuar të thotë i zemëruar: “Po të kisha një kallashnikov, do t’i kisha shtrirë të gjithë. Bam, bam, bam”.

Muaj më vonë, Moisi Habilaj është vënë sërish nën përgjim ambiental dhe është dëgjuar të bisedojë me një pronar të një pike karburanti në Siçili.

“Nëse vjen në Shqipëri, ti e kupton se policia shqiptare është e korruptuar dhe ndonjëherë edhe shefi i policisë ndihmon në ngarkimin e çantave”, i ka thënë Habilaj bashkëbiseduesit siçilian.

Në një tjetër përgjim ambiental, policia italiane zbuloi edhe një emër konkret, që u përmend nga Moisi Habilaj.

“30 mijë duhet t’ia jap Saimirit”, kështu ka thënë Habilaj duke ju referuar shumës së parave 30 mijë Euro për një rast trafiku droge.

Moisi Habilaj ka shkuar disa herë në Itali për t’u kujdesur për trafikun e drogës, pas disa rasteve të goditura nga Guarda di Finanza. Në një rast, ai shkoi në Siçili me një bashkëpunëtor të quajtur Sabi Çelaj, të cilët udhëtuan me një makinë Audi, i njëjti automjet që Partia Demokratike akuzonte se i përkiste Saimir Tahirit dhe përdorej për drogë nga kushërinjtë e tij.

“Ari jeshil i Ballkanit ishte vënë në dispozicion dhe të mafiozit të njohur Sebastian Sardo, sot bashkëpunëtor i drejtësisë italiane dhe dikur administrator i drogës për klanin mafioz kataneze Capello. Në një nga përgjimet e policisë italiane lexohet se grupi i shqiptarëve të jetë shprehur “se nëse nisim një ngarkesë për Sardon, mund të sjellim dhe kallashnikovë, le të vriten me njëri-tjetrin, ne nuk na intereson, ata i duan për vete armët”, shkruan media italiane “Meridio News”.

Në operacionin e djeshëm të autoriteteve italiane u identifikuan 11 anëtarë të organizatës kriminale, nga të cilët u arrestuan 3 shqiptarë dhe 4 italianë. Ata janë Moisi Habilaj 39 vjeç, Maridian Sulaj 29 vjeç dhe Fatmir Minaj 55 vjeç, ndërsa italianët Antonio Riela 46 vjeç, Vincenzo Spampinato 44 vjeç, Gianluca Passavanti 37 vjeç dhe Angelo Busacca 37 vjeç. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 20 mijë euro cash.

Sipas hetimeve, ka rezultuar se organizata ka transportuar mbi 3.5 ton marihuanë nga bregdeti shqiptar në Itali në intervale të ndryshme. Po kështu, anëtarët e bandës kanë transportuar kallashnikovë dhe qindra municione. Sipas policisë italiane, kjo organizatë ka qarkulluar mbi 20 milionë euro nga trafiku i drogës dhe armëve. Kanabisi ishte destinuar për në Catania, Ragusa dhe Siracusa.