Mediat gjermane: Shqipëria, shteti i kanabisit

Në shtypin gjerman i kushtohet vëmendje zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri. Numri i ulët i votuesve dhe të dhënat e para që me gjasë nxjerrin fitues socialistët, janë në qendër të artikujve.

Lajme

26/06/2017 19:07

Agjencia gjermane e lajmeve DPA shkruan se Partia Socialiste qeverisëse nën kryeministrin Edi Rama me gjasë është fituesja e zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Kjo parti mund të dalë fituese me deri në 79 mandate, bazuar në të dhëna të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. shkruan dpa. Ndërsa demokratët opozitarë kanë arritur deri në 41 mandate, sipas mediave. Ndërsa Partia Lëvizja Socialiste për Integrim mund të llogarisë me 20 mandate. Rezultatet nuk janë përfundimtare”.

Por, nëse prognozat verifikohen, socialistët mund të qeverisin të vetëm, siç kërkonte kryeministri Rama gjatë fushatës. Sipas tij, një mazhorancë e qartë e socialistëve do t’i jepte atij mundësinë të kryente reforma rrënjësore në Shqipëri.

Edhe media të tjera gjermane i kanë kushtuar vëmendje votimeve në Shqipëri. Gazeta “Süddeutsche Zeitung” vëren të hënën se votimet në Shqipëri kanë treguar interesin e ulët të votuesve. Në këto votime kanë marrë pjesë shumë më pak votues, se në zgjedhjet e fundit, shkruan gazeta gjermane.

“Socialistët qeverisës nën Edi Ramën kanë shanse më të mira për të fituar zgjedhjet krahasuar me demokratët në opozitë nën kreun Lulzim Basha”.

Süddeutsche Zeitung e mbyll artikullin e saj duke theksuar se “Shqipëria është një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara të Evropës.

“Krahas kësaj, ky vend është vendi ku mbillet më shumë kanabis”.

Edhe gazeta “Neue Zürcher Zeitung” i kushton një artikull zgjedhjeve në Shqipëri. Nën titullin “Sondazhet nxjerrin socialistët fitues”, kjo gazetë vëren se sipas prognozave të para, votimet në Shqipëri i kanë fituar socialistët.

Ndërsa, “Berliner Zeitung” nuk i kushtohet drejtpërdrejt zgjedhjeve, por një djali të ri 10-vjeçar që duhet të largohet nga Gjermania, për shkak se familjes nuk i është njohur e drejta e azilit. Ai gjen mbështetjen e lojtarëve të skuadrës së tij të futbollit, shkruan “Berliner Zeitung”.

“Në Westend, nxënësit kanë veshur bluzat portokalli me mbishkrimin ‘Dejvi dhe familja e tij duhet të qëndrojnë’.

Vetë Dejvi thotë se dëshiron të jetojë në Gjermani dhe të bëhet futbollist profesionist”.

“Por, dëbimi i Dejvit dhe familjes së tij është vulosur. Më 11 korrik përfundon edhe afati i lejes së toleruar të qëndrimit”.

Për të bërë diçka kundër dëbimit është angazhuar trajneri i Dejvit, i ekipit “Oranje Berlin” duke organizuar një demonstrim solidariteti. Trajneri Michel Kooistra thotë se “të gjithë lojtarët e vlerësojnë Dejvin shumë dhe dëshirojnë që ai dhe familja e tij të qëndrojnë”.

Shqipëria konsiderohet vend i sigurt origjine, vëren “Berliner Zeitung”. Nuk përbën arsye për marrjen e azilit, gjendja e vështirë ekonomike në Shqipëri, siç ishte shprehur familja shqiptare në kërkesën e azilit. /DW/