Mediat e huaja për zgjedhjet: Test kyç për Shqipërinë

Zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit konsiderohen një test kyç në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, e kjo pasqyrohet qartazi në mediet ndërkombëtare.

Lajme

25/06/2017 17:55

Shqipëria voton në zgjedhjet që konsiderohen si thelbësore për integrimin në BE. Kështu pohon “Associated Press” në materialin e publikuar në orët e para të së dielës.

Shqiptarët kanë filluar të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, që pasuan një marrëveshje historike mes dy partive kryesore në vend, për të mundësuar vazhdimësinë e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian.

“BE-ja vëzhgon, ndërsa Shqipëria voton”, është titulli i “Euronews”. Shqiptarët u janë drejtuar qendrave të votimit në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, që pritet të tregojnë gatishmërinë e vendit ballkanik për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

“Euronews” thotë se kryeministri socialist, Edi Rama shpreson të fitojë një mandat të dytë e të sigurojë shumicën, për të vënë në jetë reformat jetësore për anëtarësimin e Shqipërisë.

“Në veçanti, Rama ka premtuar më shumë progres në shkarkimin e gjykatësve të korruptuar”, vijon “Euronews”, njofton Top Channel.

Sondazhet i japin përparësi Partisë Socialiste, por sipas medias nuk është e qartë nëse kryeministri në detyrë do të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për të siguruar shumicën. Ekziston frika që presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë, Ilir Meta, të jetë sërish përcaktuesi i fatit të qeverisë së ardhshme.

“Shqipëria voton me BE-në në mendje” është titulli i “AFP”-së. “Shumë zgjedhës iu drejtuan qendrave të votimit që në orët e para të një dite të nxehtë vere”, thotë media në fjalë, e cila shton se, që prej rënies së komunizmit, zgjedhjet janë shënuar nga manipulime, incidente të dhunshme, kontestime rezultatesh dhe rivalitete të hidhura mes palëve.

Ndërsa citon analistët shqiptarë, AFP thekson se marrëveshja mes dy partive kryesore politike bëri që fushata e këtij viti të ishte më e qetë sesa në zgjedhjet paraardhëse.