Mediat e huaja: Ja çfarë do të ndodh nëse Haradinaj bëhet kryeministër i Kosovës

Zgjedhjet në Kosovë nuk kanë lënë pa u përcjellur edhe nga mediat e huaja.

Lajme

12/06/2017 15:38

Pas publikimit të rezultateve preliminare sipas të cilave koalicioni PAN është fitues, mediat e ndryshme kanë theksuar rrezikun e përkeqësimit të raporteve Kosovë-Serbi, nëse Haradinaj zgjedhet kryeministër.

BBC ka shkruar se fitorja e Haradinajt do të mund të komplikonte raportet ndërmjet dy shteteve, transmeton lajmi.net

“Fitorja e Haradinajt, kryetarit të AAK-së do të komplikojë marrëdhëniet me Serbinë”, thuhet në shkrimin e BBC-së.

AFP ka thënë se Parlamenti i Kosovës do të duhet të përballet me raportet e tensionuara me Beogradin, korrupsionin, dhe akuzat për krime lufte nga UÇK-ja.

“Por duket se çështja e Haradinajt varet edhe nga niveli i mbështetjes së përfaqësuesve së minoriteteve, siç janë turqit dhe romët”, shkruan AFP.

Edhe Reuters ka thënë se qeveria në Prishtinë do të përballet me papunësinë, dhe përmirësimin e raporteve me Beogradin.

“Perëndimi e sheh integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si një mënyrë që kjo zonë të shërohet nga luftërat e viteve të 90-ta”, shkruan Reuters.

AP pas rezultateve preliminare ka shkruar se asnjë parti nuk do të jetë në gjendje që të qeveris vetëm, dhe çdo legjislaturë do të duhet të përballet me tema të vështira, duke e përmendur me theks të veçantë Demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas AP tema tjera të rëndësishme janë edhe zbatimi i marrëveshje me Serbinë, dhe vazhdimi i negociatave. /Lajmi.net/