Me u martua për letra! Flet aktorja Albulena Kryeziu (Foto)

Me u martua për letra! Është ky një fenomen që e ka përcjellë shoqërinë kosovare që nga vitet e ’90-a.

ShowBiz

23/03/2016 14:02

Qysh atëherë, shqiptarët duke ikur nga regjimi i Serbisë për në shtetet perëndimore, shfrytëzonin martesat me gra të huaja për t’i rregulluar lejeqëndrimet. Kjo ndodhte edhe në martesat ndërmjet shqiptarëve, kur njëri nga partnerët jetonte jashtë Kosovës.

Kjo temë mjaft e përfolur në shoqëri, por pak e trajtuar në kinematografi, vjen në filmin “Tradhti me letra”, me regjisor Valmir Tertini, raporton lajmi.net

Në film luajnë aktorët Albulena Kryeziu, Fisnik Zeqiri, Don Granit Shala, Molikë Esat Maxhuni dhe aktorja gjermane Alexandra Waluk.

Sipas regjisorit, Kryeziu me performancën e saj, ka arritur të transformoj rrjedhën e filmit në një kthesë dramatike.

Në një intervistë për lajmi.net, Kryeziu flet për përvojën e saj në këtë film.

Cili është mendimi juaj ndaj temës së filmit “Tradhti me letra”?

Albulena Kryeziu: Tema e filmit që sapo kemi përfunduar së xhiruari, është një temë shumë e ndjeshme, e hasim shumë shpesh në vendin tonë, por që është rrahur shumë pak si çështje.

Çka trajton filmi sipas teje? A mendon se kjo dukuri “Martesa vetëm për letra” është bërë aktuale në vendin tonë?

Kryeziu: Kjo dukuri ka qenë prezente sa mbajë mend prej viteve 90-ta kur situata ka qenë e përkeqësuar. Fatkeqësisht është riaktualizu edhe në vitet e fundit.

Cili ka qenë raporti juaj me aktoren gjermane Alexandra?

Kryeziu: Alexandra me të arritur në Kosovë, më ka kontaktuar në FB, gjë që na mundësoi të kemi një raport shumë të mirë mes vete.

Në film ka marrë pjesë edhe vajza e motrës suaj, çfarë ndjenje është?

Kryeziu: Unë kam një afërsi të madhe me mbesën time, ka qenë shumë e vështirë pasi kemi pasur skena emotive dhe ajo si e vogël ka pasur momente që nuk e ka kuptuar p.sh. pse unë po qajë. Ka pasur momente kur e ka zënë gjumi, momente kur është mërzitur por falë ekipit arritëm t’i përfundojmë skenat me Fletën (mbesën time 5 vjeçare).

Ju keni luajtur edhe me shokun e klasës që e keni pasur gjatë studimeve, çka mund të më thoni për këtë?

Kryeziu: Fisnik Zeqirin, shokun tim të studimeve e kam edhe një bashkëpunëtor shume te afërt. Kemi realizuar shumë projekte bashkë dhe fakti që ka qenë partner i imi në këtë film, më ka dhënë siguri të madhe.

A mendoni se njohja e ekipit të bënë të jesh më e lirë gjatë aktrimit?

Kryeziu: Gjithsesi ky fakt të lehtëson mirëpo edhe nëse nuk njihesh me ekipin, natyra e punës është e tillë saqë nuk të le të jesh indiferent, në një farë forme familjarizohesh me ta.

Si ka qenë raporti juaj me regjisorin?

Kryeziu: Është hera e parë që punova me Valmirin, kemi kaluar kohë të mirë gjatë xhirimeve dhe fakti që më ka besuar rolin, e pastaj më ka besuar edhe në shesh të xhirimit më ka bërë të ndjehem shumë mirë.

Tertini ka thënë për lajmi.net se filmi do të shfaqet nesër në Tiranë. /lajmi.net