Më thirri Manchesteri

Louis van Gaal ndihet krenar që gjigantët si Manchester United dhe Bayern Munich e telefonuan atë, duke ia besuar detyrën e kreut të shtabit teknik. Holandezi synon t’i rikthejë në krye të tabelës ‘Djajtë e Kuq’.

Sport

20/05/2014 10:39

Louis van Gaal thotë se është krenar që nuk ka aplikuar për ta marrë në dorë detyrën e Manchester Unitedit, por se ishte vetë gjiganti anglez ai që e kontaktoi atë.

Trajneri holandez u konfirmua si trajner i ri i ‘Djajve të Kuq’, duke e zëvendësuar David Moyesin, i cili u shkarkua muajin e kaluar, për t’u zëvendësuar përkohësisht nga Ryan Giggs.

Dhe, Van Gaal thotë se ishte United ai që e thirri atë, njëjtë si bëri Bayern Munichu, i cili e kishte kontaktuar në vitin 2009.

“Unë nuk e thirra Manchester Unitedit, por as Bayern Munichit. Ata gjithmonë më kanë thirr mua. Jam krenar me këtë”, deklaroi trajneri për Dutch TV.

Ish trajneri i Ajaxit ka zbuluar se ish shefi ekzekutiv i United, Peter Kenyon i kishte telefonuar në vitin 2002, kur Sir Alex Ferguson dëshironte të largohej, por në fund skocezi vendosi të kthehej.

“United është klubi më i madh në botë. Ata kanë buxhet të jashtëzakonshëm dhe duhet të përfundojnë gjithmonë sa më lartë në tabelë”, vazhdoi ai.

“Objektiv është ta rikthejmë këtë ekip në pozitën numër 1 sa më shpejtë të jetë e mundur, sepse kjo është arsyeja se përse ata u drejtuan nga Sir Alex Ferguson. Do të jetë një punë e vështirë, por kjo është një sfidë fantastike”, vazhdoi ai.

“Isha në mes pensionimit apo shkuarjes në Angli. Gruaja ime Truus dëshironte që të pensionohesha, por ne tash do të shkojmë në Angli. U kam treguar drejtuesve të klubit se kë e dua në staf dhe se çka dua për të ardhmen”, përfundoi ai.