Më të shtrenjtit e botës që po i “nxehin” bankinat

Lëvizjet e fundit në tregun e transferimeve kanë imponuar një “rregull” të ri në futboll, duke u rritur jashtëzakonisht shumë vlera e lojtarëve.

Sport

23/02/2018 16:47

Në vitin e fundit, ose më mirë të themi duke llogaritur nga vera e fundit, kanë ndodhur transferimet më të shtrenjta në histori të futbollit.

Neymar në fund të gushtit, për 222 milionë euro u largua nga Barcelona për t’iu bashkuar PSG-së, për të vendosur një rekord të ri në futboll, për t’u bërë futbollisti më i shtrenjtë në histori.

Largimi i Neymar, detyroi Barcelonën të ndërhyjë dy herë në tregun e transferimeve, duke e transferuar Ousmane Dembelen nga Dortmundi për 105 milionë euro në verën e vitit 2017, ndërsa në afatin e janarit të këtij viti, shpenzoi 160 milionë nga Liverpooli, Philippe Coutinhon.

Si Dembele, ashtu edhe Coutinho, pavarësisht parave të shpenzuara për ata, nuk kanë arritur të jenë titulluar absolut te Barcelona.

I pari ka kaluar në shumë lëndime, por edhe në rastet kur ka qenë në dispozicion, nuk është që kishte aq shumë besimin e trajnerit Valverde, ndërsa i dyti vazhdon të luftojë për adaptim.

Së bashku me këta dy lojtarë, edhe dy tjerë që kanë kushtuar nga 100 milionë euro, e që hynë në listën e lojtarëve më të shtrenjtë në histori, vazhdojnë t’i ‘nxehin’ bankinat.

Bëhet fjalë për Paul Pogban te Manchester United dhe Gareth Bale te Real Madrid.

I vetmi lojtar që vazhdon të cilësohet i pazëvendësueshëm, është Neymar te PSG, i cili edhe është lojtari më i shtrenjtë në histori të sportit më të popullarizuar në botë./Lajmi.net/