Me të parën në Shtime

Hashim Thaçi ka kërkuar nga qytetarët në Shtime që me 3 nëntor të dalin për të votuar. Pastaj, ka thënë se PDK do ta fitojë këtë Komunë në raundin parë.

Lajme

19/10/2013 14:38

Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, ka vazhduar fushatën parazgjedhore në qytetin e Shtimes, të shtunën, duke takuar dorë më dorë qytetarët, mbase edhe me pyetjen e tij të zakonshme – “A keni me dalë? Edhe…?”.

Ai ka thënë se do të fitojë Shtimen, qysh në raundin e parë. Shkurt.

I shoqëruar nga Hajredin Kuçi, Fehmi Mujota dhe Kandidati për Kryetar të Shtimes Naim Ismajli, Kryeministri Thaçi ka kërkuar nga qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta votojnë PDK’në më 3 nëntor.

“Ne vazhdojmë me takimet tona, dorë më dorë, me qytetarët e Republikës së Kosovës.”

“Sot ishim këtu në Shtime, ishte një mbështetje masive që garanton fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kryetarit Naim Ismajli, që në raundin e parë.”

“Prandaj, falënderoj qytetarët e Shtimes për mbështetje dhe uroj Kryetarin Ismajli për fitore që në raundin e parë”, ka deklaruar Thaçi.

Kandidati për Kryetar të kësaj Komune, Naim Ismajli, ndërkaq, ka thënë se karvani i fitores së Partisë Demokratike të Kosovës do të fillojë me Shtimen, për të vazhduar më pas edhe në komunat tjera të Kosovës.

“Këto janë zgjedhjet e nënta dhe vazhdimisht ne kemi pasur mbështetjen e qytetarëve. Kjo vizitë e Kryeministrit, ky takim dorë më dorë, i bënë qytetarët tanë që të ndihen mirë dhe të ndihen të respektuar, sepse ata janë mbështetës të fuqishëm të PDK’së”

“Besoj se qytetarët tanë, më 3 nëntor, do e japin votën për PDK-në”.