Më shumë bankënota false të euros në Malin e Zi

Nga fillimi i këtij viti e deri më sot në Malin e Zi janë zënë 145 bankënota të falsifikuara të euros. Kjo është trefish më shumë se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Lajme

22/06/2014 11:28

Banka Qendrore e Malit të Zi u bën thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të kontrollojnë karakteristikat mbrojtëse të monedhës evropiane, që është i vetmi mjet zyrtar i pagesave në këtë shtet fqinj.

Drejtori i Bankës Qendrore malazeze, Todor Cicmil ka deklaruar për medie në Podgoricë  se këtë vit banka ka proceduar 76 kartëmonedha të falsifikuara me vlerë nominale prej 5 eurove, 10, 20 ,50, 100  dhe prej 200 e 500 eurove shkruajnë mediet malazeze, transmeton albinfo.ch.

Ai ka shtuar se në periudhën e sezonit turistik, kur qarkullimi i parave është në nivelin më të lartë, paraqitet edhe numri më i madh i falsifikimeve të zbuluara.

Ndryshe nga BE-ja, ku më së shpeshti paraqiten bankënota false me vlerë nominale prej  20 dhe 50 euro, falsifikuesit në Mal të Zi kanë preferuar më shumë kartëmonedhat prej 5 eurove.

\”Më herët ishin falsifikuar kryesisht kartëmonedhat 200 dhe 100 euro, ndërsa vitet e fundit rritja më e madhe e kartëmonedhave false ishte te ato me vlerë nominale prej 5 eurove\”, tha Cicmil.