Me punë, por pa paga

Sipas punëtorëve të fabrikes 'Rematex', të cilët e ndërprenë punën, arsyeja e vetme e protestës është mos marrja e pagës.

Lajme

03/02/2016 20:50

Në oborrin e fabrikës ‘Rematex’ në Dragash, ka tri ditë që punëtorët po presin për të marrë pagat që u takojnë, por ato nuk po u paguhen.

Sipas punëtorëve të kësaj fabrike, të cilët e ndërprenë punën, arsyeja e vetme e protestës  është mos marrja e pagës.

Ata thonë se  gjendja e ‘Rematex-it’, që merret me prodhimin penjve, vazhdon të jetë e tillë që kur u privatizua në vitin 2006.

Problemet e  tyre ata bën përpjekje që t’ua rrëfejnë edhe drejtuesve të fabrikës, por pa sukses, meqë askush nuk doli t’i takojë, raporton Klan Kosova, transmeton lajmi.net.

Meqë aty nuk morën përgjigje, u nisën për te Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Januzi. Edhe pse ky i fundit i priti në takim, pak shpresa u dha se mund të ndikojë në zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërsa drejtorit gjeneral të fabrikës, turkut Besim Minkara, krejt kjo po i duket e panevojshme.

Ai përmes telefonit i tha Klan Kosovës se pjesa e parë e pagave, punëtoreve do t’u paguhet javën që vjen, ndërsa pagat që i mbeten borxh do t’u sigurohen nga fundi i këtij muaji./lajmi.net