Me protestë kundër zgjedhjeve

Një grup serbësh, pritet të organizojnë nesër një protestë në Veri të Mitrovicës për të kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë pjesë.

Lajme

09/10/2013 14:53

Komiteti për bojkotimin e zgjedhje nga pjesa veriore e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’ju bashkohen në një protestë kundër zgjedhjeve që pritet të mbahet të enjten.

Organizatorët thonë se kjo protestë do të jetë “e formës së qetë” dhe do të fillojë nga Ura e Ibrit në pjesën veriore të Mitrovicës. Ajo ka për qëllim të shprehë kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjeve të Brukselit dhe zgjedhjeve lokale në Kosovë.

“Marrëveshjet e Brukselit janë duke i shuar institucionet serbe. Secili qytetarë që pajtohet me këto zhvillime është kundër qëndrimit të Serbisë dhje interesave të popullit serbë në Kosovë”, është thënë në një konferencë për media anëtari i këtij Komiteti, Branislav Bozovic.

Njëri nga organizatorët Nebojsa Minic ka vlerësuar se “pothuajse të gjitha partitë politike në veri të Kosovës dhe një numër i madh i qytetarëve, janë kundër zgjedhjeve, përkundër faktit se një numër i liderëve serbë janë përfshirë në procesin zgjedhor”.

“Qëllimi ynë është që të mbrojmë interesin e qytetarëve dhe shtetit, të mbrojmë edhe të drejtën e qytetarëve për një të ardhme më të mirë”.