Me projekt kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, gjatë lansimit të projektit “Fuqizimi i kapaciteteve për hetime penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha se së shpejti do të del raporti në lidhje me përmbushjen e kritereve për vizat.

Lajme

03/04/2014 14:05

Zbogar tha se raportet e dy misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian, në lidhje me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave do t’i shërbejnë Qeverisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme.

Zbogar i bëri këto deklarata gjatë lansimit të projektit “Fuqizimi i kapaciteteve për hetime penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, projekt ky i Binjakëzimit në mes të Republikës së Kosovës, Gjermanisë dhe Hungarisë, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Zhbogar u shpreh se raporti i dy misioneve vlerësuese të BE-së, për udhërrëfyesin e liberalzimt të vizave do të përshkruaj të arriturat dhe dobësitë në pesë blloqet kryesore që lidhen me këtë çështje.

“Do të vë bazat për punën e mëtutjeshme dhe reformat që do të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës, nga binjakëzimi, nga zyra e jonë, nga EULEX-i, vetëm për ta mbështetur Qeverinë e Kosovës në mënyrë që të udhëtohet pa regjim të vizave”, tha Zbogar, raporton RTK.

Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Çitaku, në këtë takim ka thënë se edhe me heqjen e vizave, detyrimet dhe përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës shtohen edhe më shumë, veçanërisht në sigurimin e kufijve dhe parandalimin e migracionit ilegal.

“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë përgjegjëse në luftimin kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë kanë ndërmarrë një mori veprimesh të cilat për qëllim kanë luftimin e dukurive negative”.

Ndryshe, projekti i binjakëzimit “Fuqizimi i Kapaciteteve për hetime penale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, do të zbatohet për 30 muaj nga Gjermania dhe Hungaria.

Projekti kap vlerën 1.8 milionë euro dhe synon mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, në parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.