Më pak fletëvotime, shkaku i parandalimit të keqpërdorimit të tyre

Anëtari i KQZ-së nga LDK, Florian Dushi tha në konferencën e fundit për gazetarë se numri më i vogël i fletëvotimeve nëpër vendvotime është bërë me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve me fletëvotimet që teprojnë.

Lajme

08/06/2014 17:25

Sipas Florian Dushit, në secilin Komision Komunal Zgjedhor ka fletëvotime rezervë dhe nëse paraqitet nevoja ato do të dërgohen nëpër qendra të votimit.

“Kur e ka marrë vendimin KQZ e ka bërë këtë duke analizuar drejt. Neve na janë kthyer më parë 60 deri 70 për qind të fletëvotimeve të zbrazëta të papërdorura. Posedimi i shumë fletëve të zbrazëta shumë herë ka krijuar mundësinë që edhe me u keqpërdorë dhe me u mbushë. Duke vlerësuar edhe trendin, kësaj radhe kemi vendosur që të zvogëlojmë për 10 për qind fletëvotimet në vendvotime, por do t’i kemi rezervë fletëvotimet nëpër secilin Komision Komunal Zgjedhor”, tha Dushi, raporton Kosovapress.

Dushi tha se s’ka kurrfarë mundësie të dalin 100 për qind e votuesve dhe bëri thirrje të mos bëhet panik me këtë fakt pasi gjithçka është në rregull.

“100 për qind me dalë në zgjedhje nuk ka mundësi për shkak të përmbajtjes së listave, sepse listat përmbajnë emra të njerëzve të vdekur, emrat e mërgimtarëve. Për këtë arsye kurrë s’ka mundësi të dalin 100 për qind votuesit në zgjedhje”, shtoi ai.