Me ndryshim të koeficientit të ndërtimit, Ferizaj mendon ta mbushë arkën

Rritja e koeficientit të ndërtimit për zonën e parë dhe të tetë të qytetit si duket ka rritur edhe kërkesat e kompanive për ndërtimin e objekteve për banim kolektiv në komunën e Ferizajt.

Lajme

29/03/2015 13:25

Bazuar në shënimet që disponon Drejtoria komunale e Urbanizimit, që nga ndryshimi i këtij koeficienti e deri më tani në adresë të kësaj drejtorie kanë arritur 20 kërkesa për ndërtime të larta.

Zyrtarë të kësaj drejtorie kanë thënë se ndryshimi i koeficientit të ndërtimit ka ardhur si kërkesë e kompanive ndërtuese dhe qytetarëve, nga fakti se në komunën e Ferizajt toka është shumë e shtrenjtë dhe koeficienti ekzistues nuk ka siguruar ndonjë përfitim më të mirë.

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis, Faik Grainca ka thënë për KosovaPress se në momentin kur Komuna e ka ngritur koeficientin, i është ngritur vlera edhe tokës, ndërsa edhe kompanive ndërtuese u janë krijuar mundësitë që në të njëjtën parcelë të përfitojnë sipërfaqe më të mëdha ndërtuese.

“Prej momentit kur planet e reviduara urbane të këtyre zonave kanë kaluar muajin e kaluar në asamble, kemi diku 20 kërkesa për vazhdimin e ndërtimit. Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e të hyrave vetjake të Komunës nga taksat ndërtimore. Natyrisht, do të ketë impakt edhe në lëmin e punësimit ngase kështu rritet edhe numri i vendeve të punës e më këtë edhe konsumi. Me një fjalë, përfitimet janë të shumta”, ka thënë Grainca.

Në anën tjetër, ata që më së shumti i janë gëzuar vendimit për ndryshimin e koeficientit të ndërtimit kanë qenë ndërtimtarët. Ata thonë se këtë vendim të Komunës e kanë pritur që moti ngase ky koeficient u siguron kushte më të mira biznesore.

Bahrije Hyseni, pronare e një kompanie që merret me ndërtime të larta ka thënë se ndryshimi i koeficientit ka qenë shumë i nevojshëm për ta.

“Shpesh e kemi ngrit këtë problem sepse në një mënyrë kemi qenë të diskriminuar me kriterin e vjetër. Ne bëjmë shumë përgatitje kur ndërtojmë ndonjë ndërtesë, prandaj një apo dy kate më shumë, është një punë mjaft e rëndësishme për ne”, thotë Hyseni

Se ndryshimi i koeficientit i ndërtimit do të sjellë edhe më shumë mjete në arkën e Komunës nuk e fshehin as zyrtarët e financave. Ata shpjegojnë se inkasimi i të hyrave nga ky pozicion buxhetor është mjaft i rëndësishëm për buxhetin e gjithë komunës.

“Gjatë vitit 2014 kemi inkasuar mbi 230 mijë euro, shifër kjo më e vogël krahasuar me ato nga vitet paraprake. Ne mendojmë se më ndryshimin e planeve rregulluese të urbanizmit do të ketë një ndikim më të madh në inkasimin e të hyrave, nga lejet e ndërtimit si dhe nga legalizimet që do të bëhen. Shpresojmë se ky vit do të jetë më i mbarë në këtë drejtim”, theksoi Lirie Syla, drejtoreshë për Financa dhe Buxhet.

Ndryshe, bazuar në planet e reviduara nga Kuvendi për disa zona, koeficienti i ndërtimit ka lëvizur nga 2.6 në 4 .5, që i bie se ndërtuesit mund të ndërtojnë më shumë kate në kuadër të lejes së ndërtimit që e marrin. U bë e ditur se gjatë vitit 2014 ka pasur dukshëm më pak kërkesa për leje ndërtimore krahasuar me vitet paraprake për shkak të krizës ekonomike dhe kushteve të pafavorshme për ndërtime.

Ndonëse me këto probleme në sektorin e ndërtimit, mësohet se çmimet për banesa nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim dhe se ato sillen nga 450 deri në 550 euro për një metër katror.