Me ndaljen e dukurive abuzive në blerjen e barnave, MSh ka stabilizuar furnizimin me barna në QKUK

Të dhënat e ditëve të fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitari i Kosovës (QKUK dhe spitalet e përgjithshme) tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70 për qind.

Lajme

06/09/2018 08:58

Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se si rezultat i angazhimeve konkrete, ngritjes së përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike dhe vendosjen e rregullit në sektorin farmaceutik, në institucionet publike shëndetësore ka një përmirësim të vazhdueshëm të furnizimeve me barna dhe material shpenzues.

Të dhënat e ditëve të fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitari i Kosovës (QKUK dhe spitalet e përgjithshme) tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70 për qind. Gjithashtu, ka një përmirësim edhe në furnizimin me material shpenzues dhe citostatikë, të cilët së fundi, po blihen nga Ministria me çmime ekstremisht më të ulta se sa që janë blerë në të kaluarën.

Procesi i përmirësimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me barna është duke vazhduar dhe këtë e siguron edhe lidhja së fundi e shumë kontratave të reja nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për nevoja të institucioneve publike shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë, krahas sigurimit të furnizimeve të reja me çmime të volitshme dhe ndërprerjes së dukurive abuzive me buxhetin e dedikuar për barna dhe material shpenzuese, ka filluar edhe procsin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale, me qëllim që pacientëve kosovarë, t’u mundësohet qasje në terapitë e reja dhe cilësore dhe në përputhje me praktikat më të mira farmaceutike.

MSh do të vazhdojë ta ketë prioritet ngritjen e nivelit të furnizimit, krahas rritjes së performancës në menaxhimin e sektorit farmaceutik, me të vetmin qëllim që pacientëve t’u sigurohet terapi e sigurt, me kohë dhe njëkohësisht të kursehet edhe paraja publike siç është dëshmuar me funksionalizimin e shërbimeve të reja në QKUK përmes sigurimit të pajisjeve bashkëkohore, shërbime këto të cilat buxhetit të vendit i kanë kursyer së fundi qindra mijëra euro.