Më mirë zgjedhje se qeveri teknike

Krijimi i një qeverie të përkohshme nuk do të ishte në interes të vendit. Kështu vlerësojnë analistët që merren me çështje politike. Për ta, në mungesë të ndonjë alternative tjetër, më mirë do të ishte që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

05/11/2014 08:37

Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL ka shtruar dilemën se çfarë kuptimi mund të kishte qeveria teknike ose gjithëpërfshirëse nëse liderët politikë, aktualisht nuk po mund të merren vesh për gjera elementare ose për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se është absolutisht kundër çdo lloj tentative për të krijuar një qeveri të tillë.

“Në të dyja rastet nuk ka përgjegjësi as partiake as politike e as qeveritare. Në situatën ku kemi bllokim edhe nga ana e Bllokut opozitar dhe nga ana e PDK-së dhe në situatën ku dihet që gjetja e një zgjidhjeje është tërësisht e pamundur, më mirë do të ishte që të shkonim në zgjedhje të jashtëzakonshme e të mos diskutonim aspak qeverisjen teknike ose gjithëpërfshirëse”.

“Ideja që ta diskutojmë qeverinë teknike ose gjithëpërfshirëse është e shtyrë nga një grupacion politik e që në këtë rast unë besoj se më së shumti prej PDK-së, në mënyrë që të përfundojmë pastaj në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat i konvenojnë PDK-së”, ka thënë Zogaj për gazetën Tribuna.

Edhe analisti Shpend Kursani shprehet kundër qeverisë tenike. Ai thotë se obligimet që ka Kosova, siç është dialogu me Serbinë por dhe krijimi i Gjykatës Speciale, asnjë kryeministër i një qeverie teknike nuk do të kishte guxim që t’i marrë përsipër.

“Nuk e di sa kishte me qenë i mundshëm kur partitë politike s’po merren vesh mes vete e për qeveri teknike duhet me u marrë vesh mes vete. Një qeveri teknike nuk mund të merret me negociata me Serbinë, por edhe nuk është në gjendje me u marrë me Gjykatën për krime lufte. Sepse asnjë kryeministër teknik nuk është në gjendje dhe nuk do të ketë guximin t’i bëjë këto dy gjëra” ka thënë Kursani.