Më mirë të investohet në bursa për të rinjtë sesa në projekte kapitale

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj mendon se do të ishte më mirë të investohej në bursa për të rinjtë e Kosovës sesa në projekte kapitale. Ai tha se AAK do të kthej besimin qytetar karshi institucioneve dhe do të risë mirëqenien sociale.

Lajme

04/05/2014 18:45

Nuk ka logjikë të investohet në projekte kapitale, pasi që burimi kryesor i zhvillimit të Kosovës janë të rinjtë, andaj është më mirë që të investohet në bursa për ta.

Kështu u shpreh sot, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në përvjetorin e 14 të themelimit të partisë së tij, ku me ç’rast u ndanë edhe 50 libreza për të rinjtë të cilët aderuan në AAK.

“Burimi kryesor i zhvillimit tonë, ose si më thënë, garanca që do të zhvillohemi si vend, jeni ju, janë të rinjtë tonë. Çka duhet bërë ne për të rinjtë tonë, për të riun tonë, çka duhet me ndodhë, është me rëndësi që i riu ynë me qenë më i pajisur me dije, me kualitet, sesa i riu që do vendin në regjion, do të thotë nuk matet vetëm sa je i shëndoshë , sa shpejtë vrapon 100 metra, ose sa rëndë çon. Por në kohën e re parametrat e një te riu maten edhe me dije”.

“Nuk ka logjikë që ne shumicën e parave sot i fusim në projekte e shpenzime kapitale, e nuk i investojmë në bursa, e nuk i investojmë në studime në vend por edhe jashtë vendit”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë në gjendje më të keqe, prandaj, Haradinaj mendon se AAK do të jetë partia që do të kthej besimin qytetar dhe të garantojë sukses në punë dhe mirëqenie sociale.