Më mirë bastisje në shkolla, sesa viktima

Nazim Haliti nga FIQ thotë se fajin më të madh pse po ndodhin vrasje brenda objekteve shkollore e ka Ministria e Arsimit, me politika të dobëta në koordinim me policinë. Sipas tij, Policia e Kosovës duhet t’i shtrëngojë më shumë masat e sigurisë.

Lajme

29/01/2014 13:54

Forumi Iniciativa Qytetare (FIQ) ka vlerësuar vrasjen e radhës së nxënësit brenda shkollës së Mesme “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë si dështim të sigurimit të fëmijëve për gjënë më të vlefshme, jetën.

Lidhur me këtë rast, një reagim i ministrit Ramë Buja, në emër të Ministrisë së Arsimit ka shprehur ngushëllime për familjen e të vrarit, dhe ka thënë se, MAShT është duke punuar vazhdimisht përmes strategjive dhe aktiviteteve të ndryshme për parandalimin e dhunës në shkolla.

Por, Nazim Haliti nga FIQ, thotë për lajmi.net se pikërisht Ministria e Arsimit bart barrën kryesore të këtyre vrasjeve që po ndodhin brenda objekteve shkollore.

Ai thotë se nxënësit në shkolla s’kanë hapësirë nga drejtoria e arsimit të veprojnë e të hartojnë plane parandaluese të dhunës në shkolla.

“Problemi i energjisë së të rinjve për dhunë në shkolla mbetet i lartë. Në anën tjetër ne kemi mungesë të adresimit të këtij problemi në mënyrë institucionale”.

Nazim Haliti, Forumi për Iniciativa Qytetare

“Për ironi kjo vrasje ndodh pikërisht në ditën kur sot Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit ka nënshkruar një vendim për themelimin e grupit punues që ka të bëjë rishikimin e strategjisë për siguri në shkolla të viteve 2009-2011 e cila asnjëherë nuk është miratuar nga Kabineti i Kryeministrit dhe rrjedhimisht nuk është dhënë zbatim”.

“Nxënësve në Kosovë nuk u është dhënë hapësirë nga drejtorët e shkollave e drejtoria e Arsimit që ata të veprojnë brenda këshillit të nxënësve, të jenë të organizuar dhe të marrin pjesë në hartimin e planeve dhe mekanizmave parandalues të dhunës në shkolla”.

Haliti thotë se Ministria e Arsimit duhet t’i koordinojë politikat e veta arsimore me Policinë e Kosovës. Policët duhet të bëjnë më shpesh bastisje të hapësirave publike, vendeve ku nxënësit i frekuentojnë në mënyrë që të parandalohen aktet e dhunshme.

“Barrën kryesore e bart Ministria e Arsimit që duhet të koordinojë politikat e veta arsimore me Policinë e Kosovës, me praktikat e mira të politikave të sigurisë dhe të investohet në angazhimin e të rinjve, të prindërve, gjithë komunitetit, mirëpo edhe të vihen masa, mjete dhe mekanizma për ta ruajtur rendin shtëpiak”.

“Në disa komuna shpesh me insistimin tonë policia ka bërë bastisje të autobusëve, të hapësirave publike kur rrinë nxënësit por edhe të shkollave dhe, shpesh janë gjetur një numër i madh i armëve dhe mjeteve të ftohta”.

“Kjo e ka bërë të arsyeshme që më mirë t’i shtrëngojmë masat nëpër shkolla, të bëjnë bastisje e kontrolle se sa të kemi viktima, e pastaj të mbetemi në reagime, në vajtime dhe në komunikata të ngushëllimeve”, ka thënë Nazim Haliti për lajmi.net.