Me Mbretin

Presidentja Jahjaga u takua me Mbretin e Holandës, Kryetaren e Senatit si dhe të Dhomës së Përfaqësuesve në Holandë. Ajo kërkoi mbështetjen e Holandës në rrugën e Kosovës për integrime europiane.

Lajme

05/12/2013 14:16

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës në Holandë, u prit në audiencë në Pallatin Mbretëror nga Mbreti i Holandës Willem Alexander

Presidentja e falënderoi mbretin Alexander për ndihmën që Holanda i ka dhënë Kosovës në të gjithë periudhat e posaçërisht në procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe theksoi se Kosova është një rrëfim suksesi i përbashkët i popullit dhe institucioneve të Kosovës si dhe i bashkësisë ndërkombëtare.

Ajo tha se Kosova ka shënuar një përparim të madh në 15 vitet e fundit duke u shndërruar në një shtet gjithëpërfshirës dhe një promotor paqeje dhe stabiliteti në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është një shtet që promovon fqinjësinë e mirë dhe e ka dëshmuar edhe përmes angazhimit të saj konstruktiv në dialogun me Republikën e Serbisë, të zhvilluar në Bruksel me lehtësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së, që ka rezultuar me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Ajo tha se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen në plotëni dhe theksoi se BE-ja duhet të angazhohet për monitorimin e zbatimit të tyre si një parakusht edhe për perspektivën evropiane të Serbisë.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparime edhe në rrugën e saj evropiane përmes vendosjes së marrëdhënies së re kontraktuale me fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asoccimit. Ajo e falënderoi Mbretin e Holandës për ndihmën që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në fillimin e këtyre negociatave dhe theksoi përkushtimin e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për përmbylljen me sukses të tyre.

Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me Holandën janë shumë të mira dhe ato mund të zgjerohen edhe në fusha të tjera në veçanti në zhvillimin ekonomik dhe të promovimit të investimeve holandeze në Kosovë.

Mbreti i Holandës, Willem Alexander vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe përparimin e saj në proceset demokratike si dhe të integrimeve europiane. Në bisedë me Jahjagën, Mbreti i Holandës u interesua për çështje të ndryshme në ndërlidhje me Kosovën, përfshirë edhe dialogun me Serbinë dhe me procesin e integrimeve evropiane.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u prit edhe nga Kryetarja e Senatit Ankie Broekers- Knol dhe nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Anouchka van Miltenburg.

Gjatë takimit në Senatin e Holandës

Në takimin me Broekers-Knol, Presidentja Jahjaga foli për zhvillimet aktuale në Kosovë, duke përmendur edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, për zgjedhjet lokale si dhe për procesin e integrimeve euro-atlantike.

Jahjaga tha se Serbia do të duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Gjithashtu ajo tha se zgjedhjet lokale ishin demokratike dhe të lira.