Me marrëveshjen për energjinë synohet shuarja e strukturave paralele

Me marrëveshjen për energjinë synohet shuarja e plotë e strukturave paralele edhe në fushën energjetike në veri të vendit, tha ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Lajme

07/03/2017 15:17

Ecuria e anëtarësimit të KOSST-it në ENTSO,  ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.

Për tu njoftuar më për së afërmi për këtë çështje, komisioni kishte ftuar ministren për dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila njoftoi për gjendjen aktuale, si dhe veprimet e gjertanishme për implementimin e marrëveshjes me Serbinë, në bazë të së cilës KOSST-i do të mund të anëtarësohej në mekanizmat ndërkombëtarë energjetikë.

Me këtë rast, ministrja Tahiri tha se në kuadër të 38 marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, është edhe marrëveshje për energjinë, nëpërmjet së cilës synohet shuarja e plotë e strukturave paralele edhe në fushën energjetike në veri të vendit.  Ajo po ashtu njoftoi se në bazë të marrëveshjes është paraparë operimi i një kompanie të dytë, e cila do të mund të shpërndante dhe kryente shërbime teknike, përfshirë këtu edhe faturimin e energjisë së shpenzuar.

Kjo kompani, sqaroi ajo, duhet të regjistrohet në Ministrinë përkatëse, ndërkaq,  veprimtaria e saj domosdoshmërisht duhet të zhvillohet në harmoni me ligjet e vendit. Mosregjisrimi i saj, njoftoi më pas ministrja Tahiri, ka bërë që marrëveshja të mos zbatohet dhe kjo ka krijuar një situatë të papranueshme për ne dhe faktorin ndërkombëtar.

Ajo foli edhe për hapat e ndërmarrë nga Qeveria për jetësimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që KOSST-i, si dhe rajoni të integrohet në plotni në rrjetin energjetik. “Moszbatimi i marrëveshjes, ndonëse ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme  ekonomike, megjithatë, vlerësoj se KOSST-i ka fituar betejën ekonomike dhe juridike në rrafshin ndërkombëtar”,  tha ministrja Tahiri.

Në vijim folën anëtarët e komisionit, të cilët u shprehën të pakënaqur me ngecjen e zbatimit të marrëveshjes. Ata me këtë rast propozuan edhe masa konkrete ndaj Serbisë, ndërkaq, nga Qeveria kërkuan sjellje të kujdesshme dhe adekuate lidhur me çështjen.

Në këtë mbledhje të komisionit, ishin të  pranishëm edhe deputetët: Donika Kadaj – Bujupi  e Fatmir Xhelili, të cilët, ndonëse nuk janë anëtarë të këtij komisioni, paraqitën shqetësimet dhe mëdyshjet e tyre  lidhur me integrimin e KOSST-it në mekanizmat evropianë energjetikë.

Në këtë mbledhje, komisioni formoi edhe grupin  punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për dxhitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore.