Me këtë sjellje, opozita bllokon edhe ratifikimin e MSA-së në Kuvend

Derisa rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s u eklipsua prej zhvillimeve në Universitetin e Prishtinës, me sa duket edhe lajmi i dytë pozitiv i miratimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, po lihet nën hije prej seancave të dhunshme në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

23/10/2015 19:04

Burime të brenda qeverisë bëjnë të ditur për Republika.info, se në takimin me dyer të mbyllura të thirrur prej kryeministrit Isa Mustafa këtë pasdite, pak përpara seancës së sotme të Kuvendit është marrë vendim që qeveria të mblidhet nesër në mëngjes për të miratuar MSA-në.

Kjo është marrëveshja e parë formale kontraktuale mes Bashkimit Evropian e Kosovës dhe pritet që të nënshkruhet dhe finalizohet të martën në Strasburg, raporton Republika.info.

Si njëra prej arritjeve më të mëdha të Kosovës, MSA-ja jo vetëm që përbën hapin e parë formal drejt anëtarësimit në BE, por edhe vendos de facto në marrëdhënie kontraktuale me Kosovën edhe pesë vendet  anëtare që ende nuk e njohin Kosovën, respektivisht Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.

Menjëherë pas nënshkrimit kjo marrëveshje duhet të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës dhe ende mbetet e paqartë nëse opozita do të vazhdojë me qëndrimin e vetë agresiv, duke bllokuar edhe këtë hap shumë të rëndësishëm të Kosovës drejt integrimit evropian.