“Me këtë ekip negociator, gjasat janë minimale për marrëveshje me Serbinë”

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se gjasat janë minimale që Kosova ta arrijë një marrëveshje me Serbinë me këtë ekip negociator.

Lajme

13/01/2019 22:20

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është në kaos total për shkak të kërkesës së BE-së për heqjen e taksës dhe insistimit të Kosovës për ta mbajtur taksën deri në njohjen nga Serbia.

Ajo ka thënë për “Epoka e re”, se mosinkuadrimi i dy partive më të mëdha në dialog ka bërë që ekipi negociator mos ta ketë peshën unifikuese dhe negociuese.

“Miratimi i rezolutës për dialog në Kuvend në formatin se si është bërë, gjegjësisht me mosinkuadrimin e dy partive më të mëdha opozitare, bën që ekipi për dialog nuk mund ta ketë peshën unifikuese dhe forcën negociuese. Situata politike në Kosovë kërkon domosdoshmërisht uljen në një tavolinë të të gjitha partive politike shqiptare për t’i diskutuar afatet kohore qoftë edhe për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja, në mënyrë që të kemi një agjendë të mirëfilltë”, ka thënë ajo.

“Dialogu me Serbinë është në kaos total për arsye se në njërën anë kemi kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, në anën tjetër qëndrimin e Kosovës për mbetjen e taksës deri në njohjen nga Serbia. Si do të dialogojë Kosova dhe a do të mbetet ky delegacion vetëm si delegacion shëtitës në diskutimet me BE-në, kjo mbetet të shihet. Megjithatë, fillimi nuk është premtues. Alternativa nuk është pjesë e ekipit për shkak se tashmë nuk mund të ketë ndonjë rezultat konkret dhe ajo që është shkaktuar deri më tani me procesin e dialogut nuk mund të rregullohet. Alternativa me një vendim gati unanim të kryesisë së saj ka vendosur që para se të ngutemi që të kemi ekipin ta trajtojmë situatën e brendshme politike në Kosovë, të kemi një konsensus të partive politike dhe vetëm pasi të arrihet ky konsensus të jemi pjesë e procesit të dialogut”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se nuk do të mund të ketë vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit negociator.

“Shanset janë minimale që të arrihet çfarëdo marrëveshje. Nuk besoj se do të kemi vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete.

“Absolutisht se zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete. Qëndrimi ynë dallon me ata sepse ne mendojmë se duhet të ketë një qëndrim mes partive politike. Qeverisja Haradinaj nuk e ka potencialin dhe mundësinë që të bëjë zhvillime pozitive për Kosovën, prandaj vetëm po e degradon shtetin”, ka deklaruar Kusari-Lila.