Me kërkesë të avokatit shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës

Të premten, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtareve të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

13/07/2018 13:03

Ky rast, ku i akuzuar është edhe Naim Dushku, i cili pretendohet se me qëllim të përfitimit për veten kishte bartur pronën në emër të vet pa i treguar vëllait të tij, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, është shtyrë me kërkesë të avokatit Vesar Vehapi.

Sipas Gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, avokati paraprakisht me anë të një shkrese kishte njoftuar gjykatën se ka një seancë tjetër dhe nuk mund të jetë prezent në seancë, duke kërkuar shtyrjen e saj.

Sipas kësaj kërkese, avokati kishte kërkuar që seanca të mos mbahej pasi që dëshiron që kur të dëshmojë i dëmtuari Pajazit Dushku, të jetë prezent e të bëj pyetje për të.

Pas kësaj, seanca është shtyrë për 14 shtator 2018, në orën 09:00, ku pritet të vazhdojë deklarimin e tij, i dëmtuari Dushku.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 5 qershor të këtij viti, i dëmtuari Pajazit Dushku kishte deklaruar se vëllai i tij i akuzuari Naim Dushku, pa dijeninë e tij e kishte bartur pronën e familjes së tyre në emër të vet.

Ndërsa, në seancën fillestare të mbajtur më 16 shkurt 2018, të akuzuarit në këtë rast, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri Mehmet Dushku, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit Mehmet Dushkut dhe të pandehurit Naim Dushku kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 05 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, Pajazit Dushkut.