Më 2016 Shqipëria e Maqedonia me lidhje interkonjeksioni

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri ka pasur të hënën një takim me ministrin shqiptar të Energjetikës, Damian Gjiknuri. Dy ministrat kanë diskutuar për një sërë projektesh të rëndësishme, kryesisht në fushën e energjisë, por edhe për gazifikimin dhe menaxhimin e ujërave.

Lajme

09/02/2015 18:51

Gjiknuri tha se fokusi i bisedës është përqendruar në finalizimin e projektit të linjës së interkonjeksionit (linja 400 kilovolt) Shqipëri-Maqedoni, projekt që sipas ministrave pritet të jetë gati më 2016 dhe që do të ndikojë jo vetëm në zbritjen e çmimeve të energjisë, por edhe në garancinë e furnizimit me energji të dy vendeve.

Si raporton KoovaPress, Neziri foli edhe për projektin e lumit Radika, duke sqaruar se pala maqedonase nuk do të ndërmarrë asnjë veprim pa konsensusin e palës shqiptare. Duke qenë se këmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, ministri maqedonas i kërkoi ministrit shqiptar që produktet e kompanisë ARMO (hidrokabure) të hyjnë në Maqedoni.

Dy ministrat biseduan edhe për gazifikimin e dy vendeve përmes implementimit të projektit të gazsjellësit TAP.