Më 11 qershor shpallet aktgjykimi në rastin e ish-prokurorit Bajram Hamitaga

Në procesin gjyqësor ku i akuzuari kryesor është ish-prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, si dhe shoferi i kësaj Prokurorie, Luan Delili, është mbajtur fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Lajme

06/06/2018 00:01

Ky rast pritet të marrë epilog më 11 qershor në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Gjatë seancës së sotme, prokurori i çështjes, Arben Ismajli, deklaroi se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim.

Në këtë fjalë përfundimtare, Ismajli ka kërkuar dënimin e Hamitagës dhe Delilit.

Fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit e përkrahu edhe i dëmtuari Granit Paqarizi, i cili tha se sa i përket kërkesës pasurore-juridike, këtë do ta realizojë në kontest civil.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hamitaga, Elmi Qerimi, si dhe vetë i akuzuari Bajram Hamitaga ka propozuar që Gjykata të bjerë vendim të drejtë dhe në mungesë të provave të njëjtin ta lirojë nga përgjegjësia penale për veprën për të cilën akuzohet.

Të njëjtin propozim e pati edhe i akuzuari i dytë, Luan Delili, së bashku me avokatin e tij, Fitim Shporta.

Në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.