MD konfirmon zyrtarisht: Britanikët refuzojnë hetimin e vdekjes së Astrit Deharit

Ministria e Drejtësisë konfirmoi të mëkurën se i ka dërguar një kërkesë Policisë Metropolitane britanike “Scotland Yard” për t’u përfshirë në hetimin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, rast i cili ka tronditur opinionin kosovar dhe ka ashpërsuar situatën politike në vend.

Lajme

23/11/2016 13:42

Autoritetet britanike kanë refuzuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për të hetuar vdekjen e Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të këtij viti.

Ministria e Drejtësisë konfirmoi të mëkurën se i ka dërguar një kërkesë Policisë Metropolitane britanike “Scotland Yard” për t’u përfshirë në hetimin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, rast i cili ka tronditur opinionin kosovar dhe ka ashpërsuar situatën politike në vend.

Përgjigja e marrë të martën nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, sipas MD-së, shpreh mbështetjen që i jep Ministrisë së Drejtësisë në reformimin e sektorit të sundimit të ligjit por edhe njofton se “Policia Britanike nuk mund të ndërmarrë hetime në këtë rast meqenëse rasti nuk lidhet me Britaninë”.

“Ambasadori Britanik ka potencuar rëndësinë që ka kryerja e këtij procesi të hetimeve nga institucionet e Kosovës me paanshmëri dhe transparencë si dhe me përfshirje të EULEX-it”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

Pavarësisht kësaj, MD thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme qysh nga data kur ka ndodhur rasti tragjik i vetëvrasjes së të ndjerit Astrit Dehari.

“Të gjitha institucionet përkatëse, Policia, Mjekësia Ligjore dhe Prokuroria janë njoftuar me kohë dhe u është ofruar i gjithë bashkëpunimi i mundshëm. Po ashtu, gjatë gjithë procesit që nga data e vdekjes së të ndjerit ka qenë i përfshirë për së afërmi edhe EULEX-i, të cilët nuk kanë pasur ndonjë vërejtje sa i përket procesit të autopsisë dhe menaxhimit të rastit nga Shërbimi Korrektues”, thuhet në komunikatë.

Kërkesa e MD-së erdhi pas dyshimeve të familjes Dehari dhe Vetëvendosjes se hetimi i kësaj vdekjeje nga ana e organeve kosovare nuk është profesional dhe i paanshëm.