McCain i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në Bosnje

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, tha se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës.

Lajme

11/04/2017 18:34

Gjatë vizitës në Sarajevë, të martën, McCain tha se shumica në Kongresin amerikan e mbështet zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje më 1995.

“Ne qëndrojmë prapa Bosnje dhe Hercegovinës, duam të shohim vazhdimin e procesit të paqes. E dimë se ka pengesa dhe vështirësi të mëdha”, tha McCain në ambasadën amerikane.

Ai po ashtu tha se ka pasur “përparim të rëndësishëm” që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit, por shtoi se ka ende mjaft punë përpara.

McCain është në turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.