MBZHR premton shtim të mbështetjes për blegtorinë

Ministri i Bujqësisë në detyrë, Blerand Stavileci, në hapjen e panairit tradicional të gjedhit “Kosova 2014” ka premtuar përkrahje edhe në vitet e ardhshme për sektorin e blegtorisë. Gjedhi më i mirë vjen nga Peja.

Lajme

24/05/2014 18:05

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Blerand Stavileci ka thënë se blegtorët  e rajoneve të ndryshme të Kosovës kanë shtuar numrin e krerëve të gjedhëve me raca cilësore.

Ai gjatë fjalës së tij, në hapjen e panairit tradicional të gjedhit “Kosova 2014”, i cili është mbajtur të shtunën në fshatin Korenicë të komunës së Gjakovës, premtoj përkrahje edhe në vitet e ardhshme për sektorin e blegtorisë dhe për industrinë e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë dhe cilësisë së prodhimeve blegtorale.

“Sivjet, për herë të parë, krahas masave tjera mbështetëse për blegtorët, ne jemi duke i përkrahur ata edhe përmes subvencionimit të qumështit sipas kategorive të cilësisë, ku ekstra klasën do ta subvencionojmë me 6 centë, klasën e parë me 4 dhe klasën e dytë me 2 centë për një litër”, transmeton komunikata e MBPZHR.

“ Krahas kësaj, që nga viti i ardhshëm do t’i shtojmë masat mbështetëse për të gjithë fermerët, duke i subvencionuar edhe kamatat, në mënyrë që ata ta kenë edhe më të lehtë veprimtarinë e tyre në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë”, tha Stavileci.

Në anën tjetër, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila tha se edhe qeveria lokale do të vazhdojë përkrahjen e blegtorisë në fshatrat e Gjakovës. “Vetëm në këtë mënyrë, përmes përkrahjes së bujqësisë dhe blegtorisë, mund të kemi zhvillim ekonomik të mirëfilltë dhe të ndikojmë në zhvillimin e industrisë së vendit”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndryshe, në panairin e gjedhit, i cili edhe sivjet është organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Gjakovës, ishin të ekspozuar një numër i madh i gjedhëve, me ç‘rast në kategorinë e gjedhit elitë, për shkak të fenotipeve dhe vetive më të mëdha prodhuese, fitues është zgjedhur blegtori Dukagjin Deda, nga komuna e Pejës, i cili mbarështon gjedhin e racës holshtain i kuq.