Mbyllet seanca konstituive

Agim Aliu është propozimi i koalicionit të PDK-së për kryetar të Kuvendit. Por, opozita po e kundërshton këtë gjë pasi që kryesuesja e seancës, Flora Brovina nuk po e njeh si koalicion LDK-AAK-Nisma.

Lajme

17/07/2014 14:16

Kryesuesja e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka mbyllur për sot seancën, duke ndërprerë procesin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. 

Vendimi për mbyllje të seancës u bë, pasi që partitë opozitare braktisen sallën, kur Brovina lejoji deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin, të propozoi kandidatin për Kryeparlamentar nga radhët e kësaj partie, duke neglizhuar bllokun opozitar LDK-AAK-Nisma. 

“Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të PDK-së të propozoj për kryetar Agim Aliun njeriu i cili përfaqëson dhe i plotëson të gjitha kriteret”, tha Adem Grabovci.

Vjosa Osmani nga LDK tha se propozon për Kryetar Isa Mustafën, pasi që koalicioni i opozitës ka më shumë vota.

“Në radhë të parë ju po bëni shkelje duke mos vënë në votim mocionin për shkarkimin tuaj. Kërkojmë nga ju të respektoni Kushtetutën që të jep propozimin e saj. Propozimi jonë është Isa Mustafa për kryetar”, tha Osmani.

Deputetët e opozitës lëshuan sallën kur erdhi koha për votim dhe në sallë mbetën vetëm 47 deputetë. Seanca përfundoi.