Mbyllet çadra e protestës, Basha: Qëndresa juaj shembi muret e Republikës së Vjetër

Kreu i opozitës, Lulzim Basha po mban një fjalim para simpatizantëve të djathtë në çadrën e protestës, që sot do të mbyllet pas arritjes së marrëveshjes me kryeministrin Rama për zgjedhjet.

Lajme

18/05/2017 21:53

Basha theksoi në fjalën e tij, se lëvizja dhe qëndresa qytetarëve ja doli që pas një rrugëtimi epik në protestë të shembte muret e mykura të Kështjellës së Republikës së Vjetër, shkruan gazeta Shekulli.

“Ju nisët një rrugëtim epik qytetar, patriotik, demokratik, paqësor, europian dhe të vendosur, për të mos pranuar me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit për të treguar të vërtetën tuaj, dhe të mbarë Shqipërisë, për t’i treguar botën mbarë të vërtetën e dhimshme të Shqipërisë nën zgjedhën e drogës dhe korrupsionit.

90 ditë më parë ne u mblodhëm këtu në një vend të pashpresë, ne u mblodhëm me kurajën e kësaj, lëvizjeje, këtij bashkimi më i madhi i Shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot ju, ne, jemi e ardhmja e Shqipërisë europiane.

Kjo lëvizje shembi muret e kështjellës së mykur të Republikës së Vjetër. Muret ranë vetëm prej qëndresës dhe kurajës tuaj. Askush nuk ju trembi dot, askush nuk na shtangu dot, askush nuk na kthen nga rruga që kemi nisur”, tha Basha në fjalën e mbajtur.