Mbyllen hetime për çështjen ‘Doshi’, rasti në Gjykatën Lartë

Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë çështjen e bujshme ‘Doshi’, me protagonistë Tom Doshi, Mark Frrokun e Durim Bamin të akuzuar për kallëzim të rremë në bashkëpunim.

Lajme

06/06/2015 15:48

Lidhur me çështjen ‘Doshi’, ku përfshinë emra të zyrtarëve të lartë të politikës në Shqipëri, prokuroria zhvilloi tre muaj hetime intensive, ku dhanë disa herë dëshmitë  e tyre jo vetëm protagonistët, por edhe përfaqësues të politikës, që nga kryeministri Edi Rama, kreu i kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha etj.

Në përfundim të këtyre hetimeve prokuroria ka përfunduar akuzën e vet për kallëzim të rremë në bashkëpunim mes Doshi, Frrokut dhe Bamit pasi sipas akuzës të tre këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë fabrikuar prova të rreme, siç është videoja ku Durim Bami pranon para Tom Doshit se ishte paguar nga Ilir Meta që ta vriste.

Jo zyrtarisht burimet pohojnë se prokuroria ka konkluduar se motivi i krijimit të kësaj videoje, që pasoi me pretendimet e Doshit se ndaj tij kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kishte kërkuar që të kryhej një atentat, janë politike.

Sipas të njëjtave burime, kallëzimi i rremë në bashkëpunim mes Doshit, Frrokut dhe Bamit është kryer për shkak që të niste një procedim penal kundër Ilir Metës. Prokurorët janë duke përgatitur kërkesën për gjykim, e cila pritet të dorëzohet të hënën në Gjykatën e Lartë.

Për çështjen hetimore, e cila pas qëndrimit të Doshit se Durim Bami ishte ndërmjetësuar për të kryer vrasjen e tij, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirrën personalitete të jetës politike në vend, që nga kryeministri Rama, ish-kryeminisri Berisha, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e një sërë deputetësh.

Për këtë çështje, Doshi përballet me masën “detyrim paraqitje”, Durim Bami mbahet në arrest shtëpie, ndërsa deputeti Mark Frroku në “arrest me burg”, për shkak të një dosjeje tjetër hetimore të hapur në ngarkim të tij në Belgjikë.

Top Channel