Mbyllen disa shkolla në Prishtinë, shkaku lëndët djegëse kancerogjene

Shpend Ahmeti ka thënë se mësimi është ndërprerë nga sot në shkollat fillore “Asim Vokshi”, “Sami Frashëri” dhe “Meto Bajraktari”. Gjithashtu është ndërprerë puna përkohësisht edhe në dy çerdhe të Prishtinës për arsye të njëjta.

Lajme

07/02/2014 12:02

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në tri shkolla të kryeqytetit për shkak se analizat e bëra në lëndët djegëse për ngrohje kanë treguar se përmbajnë përqindje të sulfurit mbi normën e lejuar.

Mësimi është ndërprerë nga sot në shkollat fillore “Asim Vokshi”, “Sami Frashëri” dhe “Meto Bajraktari”.

Gjithashtu është ndërprerë puna përkohësisht edhe në dy çerdhe të Prishtinës për arsye të njëjta.

Ditë më parë, gazeta “Zëri” kishte raportuar se kompania importuese e derivateve “HIB Petrol”, është zbuluar se ka furnizuar shkollat me naftë për ngrohje me përmbajtje të lartë kancerogjene.

“Pas raportimeve mediale për nivelin e squfurit në naftën që përdoret në shkollat e Prishtinës, komuna e Prishtinës ka urdhëruar analizat në tre shkolla të ndryshme. Sot kemi marrë rezultatet dhe niveli i squfurit në disa shkolla ishte 70 herë më e lartë se niveli normal”, ka thënë sot Shpend Ahmeti.

“Për këtë arsye kemi marrë vendimin për ndërprerjen e procesit mësimor në shkollat që nxehen me naftë. Poashtu kam dërguar letër në Institutin e Shëndetit Publik për të na dhënë vlerësim të rrezikshmërisë të këtij niveli të squfurit”.

“Në të njëjtën kohë po zhvillojmë një plan të hollësishëm për analiza në çdo shkollë që mësimi mos të ndërpritet më gjatë se sa është e nevojshme”.

“Kjo është vetëm masë preventive për të ruajt shëndetin e fëmijëve derisa të jemi të sigurtë se edhe shkollat janë të sigurta”, ka thënë Shpend Ahmeti.