Mbyllen disa shkolla në Kamenicë

Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, komuna e Kamenicës do t’i mbyllë disa shkolla.

Lajme

10/10/2018 20:01

Shkolla fillore e fshatit Meshinë nuk hapi dyert këtë vit për nxënësit.

Kjo sepse në këtë zonë kishin mbetur vetëm 3 nxënës, dhe kështu komuna e Kamenicës mori vendim që këta nxënës t’i bartë deri në shkollën e qytetit.

Nxënësit që kishin për të vijuar mësimin në shkollën e fshatit ishin të familjes Bucolli.

Fitim Bucolli, anëtar i kësaj familje dhe ish-nxënës në këtë shkollë thotë që kushtet e vështira kanë bërë qe këtu të mos fillojë mësimi më.

Kështu që shkolla e dëmtuar e këtij fshatit mbetet e mbyllur.

Por edhe disa të tjera në këtë komunë do ta kenë fatin e njejtë.

Paralelja e shkollës fillore “Skënderbeu” në fshatin Lisockë të Komunës së Kamenicës, numëron vetëm 12 nxënës.

Drejtori i shkollës, Qemajl Biçku, përmes telefonit për T7 ka thënë që në shkollën “Skënderbeu” nuk është investuar asnjëherë nga ana e komunës.

Ndërkaq, ishte pikërisht kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati që ditë më parë kishte vizituar shkollat e kësaj zone të cilat i ka gjetur mbyllur.

Për këtë kryetari i Kamenicës thotë që janë iniciuar masat disiplinore mbi stafin përgjegjës të këtyre shkollave.

Në qytetin e Kamenicës përgjatë viteve, në fshatrat e Malësisë janë mbyllur një numër i shkollave, për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe kushteve të vështira në të cilat zhvillohej mësimi.