Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës, prokurorja thotë se ka prova që e dëshmojnë se i akuzuari udhëtoi drejt Sirisë

Me pretendimet se i akuzuari për pjesëmarrje në luftëra të huaja, Rinor Dizdari, asnjëherë nuk ka qenë në Siri, mbrojtësi i tij, avokati Nasuf Hasani ka kërkuar hudhjen e kësaj aktakuze.

Lajme

21/09/2018 22:26

Një kërkesë të tillë, avokati Hasani, e ka paraqitur në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë shqyrtuar kundërshtimet e mbrojtjes në këtë rast ku Dizdari akuzohet se në maj të vitit 2017, kishte tentuar që t’i bashkohej formacioneve ushtarake në Siri.

Avokati Hasani, ka thënë se pretendimet e aktakuzës fare nuk qëndrojnë dhe sipas tij, nuk ka asnjë provë ndaj klientit të tij, që do ta vërtetonte se ai ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

“Unë qëndroj në tërësi mbrapa asaj çfarë kam potencuar në kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Kjo aktakuzë është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. I mbrojturi im asnjëherë nuk ka qenë në Siri. Prokuroria Speciale nuk ka arritur ta sigurojë asnjë provë me anë të së cilës do të vërtetohej se i mbrojti im ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, ka deklaruar avokati Hasani.

Në anën tjetër, prokurorja speciale, Habibe Salihu, ka thënë se aktakuza është e mbështetur në prova të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka tentuar të shkojë në Siri, duke kërkuar nga gjykata që të hedhet poshtë kërkesa për hudhjen e aktakuzës.

Gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj ka thënë se për këtë çështje do të vendoset jashtë seancës, dhe se palët do të njoftohen me kohë lidhur me vendimin.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 13 qershor 2018, ndaj Rinor Dizdari me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj në formacione të jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës” nga neni 3 paragrafi 3 I Ligjit për parandalimin e Bashkimin në konflikte të armatosura.

Dizdari thuhet se më 26 maj 2017 nga shtëpia e tij në Prishtinë me vullnet dhe me vetëdije të plotë ishte nisur për në Siri me qëllim t’i bashkohet organizatave ushtarake në Siri.

Sipas aktakuzës, ai thuhet se kishte shkuar në Shkup e prej aty kishte fluturuar në Turqi, ku prej aty kishte për të udhëtuar drejtë Sirisë. Por, pasi që kishte mbërritur në Republikën e Turqisë kishte lëvizur nëpër territorin e saj dhe me kërkesë të autoriteteve të Kosovës ishte ndalur në qytetin e Bursës, më 2 qershor 2017.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dizdari më pas ishte kthyer nën përcjelljen e autoriteteve të Turqisë, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.