Mbrojtja e Sinjalizuesve,  pjesë e promovimit të transparencës dhe integritetit institucional, thotë Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e tij për të bërë të gjitha ndryshimet legjislative të parapara për luftimin më efikas të korrupsionit. 

Lajme

05/12/2017 17:12

 

Përmes një statusi në Facebook, ministri Tahiri ka potencuar se korrupsioni po e mban peng perspektivën evropiane të Kosovës, andaj ndryshimet e nevojshme legjislative në këtë fushë nuk kanë sesi të mos mbeten prioritet.  Në mesin e këtyre ndryshimeve, i rëndësishëm është edhe Ligji për Sinjalizuesit, apo informatorët.

“Mbrojtja e informatorëve është pjesë integrale e promovimit dhe inkurajimit të transparencës, integritetit dhe detektimit të sjelljeve të pahijshme nga zyrtarët institucional. Përkushtimit të shoqërisë civile dhe partnerëve tanë për mbrojtjen e informatorëve do i shtojmë edhe përkushtimin tonë institucional, i cili do rezultojë me një ligj të ri për informatorët, që do të mbulojë sektorin publik dhe privat, por kësaj radhe me themelimin e mekanizmave për informim por edhe për mbrojtjen e tyre”, ka shkruar Tahiri.

Ministri Tahiri madje ka theksuar se institucionet duhet të jenë në frontin e parë në luftën kundër korrupsionit.

“Jam i bindur, se bashkërisht me masat tjera në luftën kundër korrupsionit, edhe informatorët do jenë pjesë integrale e këtyre masave. Në këtë luftë, në frontin e parë duhet të jenë vetë institucionet dhe për këtë, unë do jap maksimumin tim si ministër i Drejtësisë”, ka thënë ai. /Lajmi.net/