Mbrojtja e Mekajt paraqet ankesë ndaj aktvendimit të Themelores për refuzimin e kundërshtimeve të aktakuzës

Pas refuzimit të kërkesës nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provova në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, mbrojtja ka paraqitur ankesë kundër një aktvendimi të tillë të Themelores.

Lajme

26/07/2017 14:44

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi, avokati Destan Rukiqi, mbrojtës i Salih Mekajt.

Sipas avokatit Rukiqi, aktvendimi ka qenë i njëjtë, por prapë me një arsyetim të mangët.

“Po kam paraqitur ankesë dhe e kam dorëzuar të premten në gjykatë. Aktvendimi ishte i njëjtë, me një arsyetim pakëz të plotësuar, por jo i mjaftueshëm për të arsyetuar vendimin”, ishte përgjigjja e avokatit Rukiqi për “Betimi për Drejtësi.

Sipas Rukiqit, gjykata në një formë po e zvarrit këtë çështje penale me çfarë po cenohen edhe të drejtat e klientit të tij të garantuara me kushtetutë.

“Aktvendimi edhe ishte i vonuar nga gjykata pa arsye ashtu siç po zvarritet edhe procedura ne tërësi në këtë çështje, me çfarë po cenohet e drejta kushtetuese e të pandehurit për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, tha Rukiqi për “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 korrik 2017, ka vendosur për herë të dytë që ta refuzojë kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, në rastin ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarve të tjerë, Vlora Gorani, Mentor dhe Ali Seferaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shkurt 2017, kishte marr vendim që të refuzojë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, ndërsa mbrojtësit ndaj këtij vendimi kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit më 17 maj 2017, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve duke e kthyer lëndën në rivendosje në shkallën e parë.

Mbrojtësit kërkesat e tyre për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës i kishin bërë në shqyrtimin e dytë të mbajtur më 30 janar të këtij viti.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 30 nëntor 2016, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuarit tjerë Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Ndryshe, ky proces gjyqësor po mbahet larg syve të publikut për shkak të vendimit të gjykatës për ta mbyllur atë për median dhe publikun.

Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 31 maj 2016. Sipas aktakuzës i pandehuri Salih Mekaj, në cilësinë e personit zyrtar, në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, prokuroria të pandehurën Vlora Gorani, e akuzon për shtytje në kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për veprën penale të dhënies së ryshfetit në bashkëkryerje me të pandehurit Mentor e Ali Seferaj.