Mbrojtja e Bujar Bukoshit dhe Ilir Tolajt nuk gjen asnjë shkronjë dallim në aktakuzën e ndryshuar

Në gjykimin ndaj ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi dhe ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë ilir Tolaj, si dhe zyrtarëve të kësaj Ministrie Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi e Bekim Fusha, të gjithë të akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me shpërdorim të detyrës zyrtare, është bërë ndryshimi i aktakuzës.

Lajme

05/06/2018 23:19

Prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu Gjykatës dhe palëve ua dorëzoi aktakuzën e ndryshuar, obligim të cilin i kishte dhënë Gjykata gjatë seancës së kaluar.

Prokurorja Fejzullahu deklaroi se ajo lëndën e ka pranuar më 5 prill dhe për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit të njëjtën sot ia dorëzon Gjykatës.

“Me këtë rast njoftoj Gjykatën se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konkretisht prokurori i çështjes këtë lëndë e ka pranuar me datën 5 prill 2018 që do të thotë pas një kohe të gjatë pas seancës së fundit të mbajtur në këtë Gjykatë me përfaqësues nga Prokuroria e EULEX-it. Nga procesverbali i kësaj seance shihet se ajo Prokurori ka marrë për obligim ndryshimin e aktakuzës dhe për shkak të ndërlikueshmërisë së çështjes Prokuroria aktuale ka arritur që në datën e sotme të dorëzojë aktakuzën e ndryshuar e të cilën në kopje të mjaftueshme ia dorëzoj Gjykatës”, tha prokurorja Fejzullahu.

Pasi që prokurorja speciale ua dorëzoi palëve aktakuzën e ndryshuar reagime pati nga ana e palës mbrojtëse.

Mbrojtësi i Bujar Bukoshit, avokati Besnik Berisha tha se prokurorja aktuale nuk ka ndryshuar asgjë pasi që sipas tij ajo nuk e ka pastruar aktakuzën ashtu siç ishte kërkuar nga trupi gjykues.

“Unë nuk po shoh ende që ka ndryshu diçka. Në mungesë të profesionalizmit të Prokurorisë duhet me e marrë mundin dhe me e nda çdo pretendim të aktakuzës dhe të konstatojmë se është arritur parashkrimi absolut”, tha avokati Berisha, i cili njëherësh kërkoi nga Gjykata kohë për ta rishikuar aktakuzën si dhe i propozoi Gjykatës që për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të klientit të tij Gjykata të veçojë lëndën ndaj tij.

Kohë për të rishikuar aktakuzën kërkoi edhe avokati Ramë Gashi.

“Në këto rrethana mbrojtja nuk ka tjetër zgjidhje pos të propozojë shtyrjen e këtij shqyrtimi për faktin se aktakuza e ndryshuar që sot na dorëzohet është mjaft voluminoze. Duket se nuk ndryshon nga ajo e kaluara por megjithatë duhet ta shohim”, deklaroi avokati Gashi.

Në lidhje me pretendimet e avokatit Besnik Berisha që lënda është parashkruar, prokurorja speciale deklaroi se nëse Gjykata konstaton se për disa vepra penale ka arritur parashkrimi atëherë sipas saj Gjykata duhet të vendos vetë në lidhje me këtë çështje pasi që sipas prokurores nëse ka ardhur deri te parashkrimi i ndonjë pike të aktakuzës atëherë kjo ka ndodhur në Gjykatë e jo në Prokurori.

“Prokuroria Speciale ka bërë ndryshimin e aktakuzës sipas obligimeve që ka marrë prokuroria e EULEX-it dhe konsideron se sa i përket dispozitivit nën 1 deri në pikën 10 të këtij dispozitivi vepra penale është e kryer ne vazhdimësi sepse veprimet e fundit i përkasin vitit 2010. Në qoftë se Gjykata konsideron se kjo vepër penale është parashkruar atëherë zyrtarisht duhet të marrë obligim që në raport me parashkrimin të vendos vetë, nëse konsiderohet si e tillë parashkrimi ka mundur ta arrijë në Gjykatë e jo në Prokurori”, deklaroi prokurorja Fejzullahu.

Në lidhje me deklarimin e prokurores reagime pati nga avokati Besnik Berisha, i cili tha se prokurorja nuk e ka ndryshuar as edhe një shkronjë nga aktakuza paraprake.

“Nëse prokurorja thotë se ia ka shtu një germë kësaj aktakuze atëherë unë lirisht po e lë këtë punë. Është jonjerëzore me thënë se ka vepër penale në vazhdim. Është turp me abuzu në këtë formë. Në këtë formë siç është aktakuza, ka joprofesionalizëm, ka çdo gjë tjetër pos drejtësi”, tha Berisha.

Sipas aktakuzës së ndryshuar Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi akuzohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të Përkohshëm Penal, aktualisht e penalizuar me paragrafin 1 të nenit 422 dhe 423 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 3 shtator.

Ky rast është kthyer në rigjykim.