Mbrëmje e rëndësishme për Alexis Tsipras

Mbrëmja e sotme është tepër e rëndësishme për Kryeministrin grek, Aleksis Tsipras.

Bota

16/01/2019 19:23

Qeveria do t’i nënshtrohet mocionit të votëbesimit të kërkuar prej tij, pas largimit të dielën nga koalicioni të aleatëve kryesorë, Grekëve të Pavarur.

Nëse arrin t’i mbijetojë mocionit, Tsipras do t’a ketë të lehtë të marrë miratimin në parlament edhe të marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të Maqedonisë, që ai e konsideron si arritjen më të madhe të kabinetit të tij pas nxjerrjes së vendit nga kriza ekonomike.

Qeveria pritet ta fitojë mocionin e mosbesimit me 151 vota, pas mbështetjes publike që mori nga 6 deputetë të forcave të tjera politike, 4 prej të cilëve nga partia Grekët e Pavarur, të cilët u përjashtuan nga partia. Ndërsa Marrëveshja e Prespës pritet të votohet para datës 20 Janar.

Burime pranë parlamentit grek thanë për Tv Klan se qeveria planifikon t’a kalojë atë në komisione të enjten dhe më pas t’a çojë për të premten, apo të shtunën. Ky skenar pritet të përballet me jo pak kundërshti, pasi procedurat parlamentare nuk mund të reduktohen në mënyrë kaq drastike.

Gjithsesi, burimet qeveritare thanë se synimi i Kryeministrit është që edhe disa çështje të tjera të kryhen me procedura të përshpejtuar, përfshirë edhe riformatimin e kabinetit qeveritar pas largimit të partisë së Kamenosit.