MBPZR mbështet shkëmbimin e përvojave bujqësore në rajon

Shkëmbimi i përvojave dhe ideve ndërmjet vendeve të rajonit është i domosdoshëm për përmirësimin e politikave bujqësore dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, ka thënë ministri Blerand Stavileci.

Lajme

08/04/2014 18:02

Në konferencën për fuqizimin e akterëve ruralë në Bruksel, të martën, organizuar nga Grupi Punues Drejtues për Zhvillim Rural Rajonal (SWG), ministri Stavileci ka treguar edhe për aktivitetet që i ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit MBPZHR-ja me qëllim të përmirësimit të politikave bujqësore.

“Gjatë dy vjetëve të fundit Kosova ka shënuar progres të madh në disa fusha dhe një ndër aktivitetet më të rëndësishme ishte hartimi i përbashkët me shoqërinë civile i programit 2014-2020, i cili reflekton tri elemente shumë të rëndësishme: rritjen e produktivitetit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe në fokus të veçantë edhe çështjet mjedisore”, ka thënë Stavileci.

Ai gjithashtu ka treguar se MBPZHR është duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’u bërë pjesë e programit të IPARD 2, për fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike në strukturat më të rëndësishme në këtë ministri

Pjesë e kësaj konference, përveç përfaqësuesve nga Kosova, janë edhe shumë ministra të bujqësisë të shteteve të rajonit, përfaqësues nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, anëtarë të SWG-ve, përfaqësues të palëve të interesit, etj.