Mblidhet Kryesia e Vetëvendosjes, mungon grupi i “rebeluar”?

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje është mblidhur në orën 13:00.

Lajme

04/01/2018 13:19

Ky takim i kryesisë është i pari pas dorëheqjes së ish-kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri nga të gjitha funksionet në parti.

Në këtë mbledhje të Kryesisë pritet që të marrin pjesë kryesisht përkrahësit e Albin Kurtit.

Përplasjet e para në Vetëvendosje nisën të dalin në pah pas publikimit të bisedave private mes disa deputetëve të Vetëvendosjes në rrjete sociale, ku deputeja Aida Dërguti kishte ofenduar Albin Kurtin.

Pas kësaj, Aida Dërguti kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet brenda partisë.

Pas të gjitha përplasjeve që shpërthyen, Lëvizja Vetëvendosje në muajin dhjetor shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar të ardhshëm.

Deri tani, është zyrtarizuar vetëm kandidatura e Albin Kurtit.