Mblidhen veteranët e Dukagjinit, paralajmërojnë veprime për listat e prokurorisë

Veteranët e luftës së UÇK-së nga zona e Dukagjinit  kanë mbajtur sot një takim të përbashkët pas publikimit të listave të veteranëve që Prokuroria Speciale ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione.

Lajme

18/09/2018 17:38

Përmes një njoftimi dërguar mediave, të njëjtit kanë paralajmëruar edhe veprime ndaj atyre që siç e quajnë ata, në mënyrë të sinkronizuar ndërmorën fushatë kundër luftës Çlirimtare.

Ky është njoftimi i plotë:

“OVL UÇK, degët e Dukagjinit, kanë mbajtur takim të përbashkët për të analizuar gjendjen e krijuar në vend pas publikimit të listave të Prokurorisë së Shtetit në media.

Duke konstatuar se me këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut dhe është shkelur dinjiteti i veteranit të luftës, degët Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog janë marë vesh për strategjinë e menaxhimit të situatës.

Të gjithë ata që në mënyrë të sinkronizuar ndërmorën fushatën e fundit kundër Luftës Çlirimtare, do të marrin përgjigjen e merituar.

Për veprimet e ardhshme Veteranët do të informohen me kohë, përmes zyrave të degëve të OVL të UÇK-së dhe mjeteve të informimit.

Kujtojmë se lajmi.net gjatë këtyre ditëve ka publikuar listën e veteranëve që sipas prokurorisë kanë përfituar pensione jashtëligjshëm.

Kjo ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion, pasi që në të njëjtat janë vërejtur edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së që pretendojnë se kanë dëshmi që kanë qenë deri në përfundim të luftës./Lajmi.net/